Tirana në treg, kërkon 1 milionë euro për xhevahirët e saj

Olsi Avdiaj

Zakonisht gurët e çmuar nuk shiten! Por në momente “halli” ata të shpëtojnë. Të tillë për Tiranën janë edhe Mervejl Ndokit, Albi Doka dhe Erion Hoxhallari. Të tre të rinj, shumë premtues dhe me të ardhme të ndritur. Këtë e di shumë mirë Refik Halili dhe ai së bashku me njerëzit e tij ka hartuar një plan. Të shesë gjatë verës “triadën e parave” për të shpëtuar ekipin nga borxhet dhe për të garantuar sezonin e ri. Të tre lojtarët duhet të sjellin një milionë euro në arkat e klubit, pasi për lojtarët ka oferta pa fund. I fundmi është Albi Doka, që është futur në listën e atyre, që do të shiten. Radha për mbrojtësin është e gjatë. Po kështu, Tirana mendon që të largojë në çdo rast, qëndron apo jo në Superiore, tre lojtarët. Të tre, me të gjitha gjasat do të largohen deri në gusht, por bardheblutë duan që përveç shitjes të mbajnë pronësinë edhe për 20 përqind të kartonëve të tre lojtarëve. Një investim shumë i mirë për të ardhmen, pasi në një transfertë të dytë ata do të përfitonin sërish para.  

Mervejl Ndokit

Presidenti i Tiranës kohë më parë deklaroi në TV që ka oferta deri në 700 mijë euro për talentin afrikan, por nuk e ka shitur. Dhe realisht Mervejl Ndokit këtë sezon ishte një ndër lojtarët më interesantë të Tiranës. Disa klube të huaj ishin interesuar për të. 18-vjeçar, futbollist i kombëtares së Kongos dhe titullar që në sezonin debutues në Superiore, ku shënoi edhe 5 gola, me të drejtë Mervejl është “xhevahiri” i klubit bardheblu. Por tani atij i ka ardhur ora për t’u shitur. Tirana shpreson ta reklamojë në Europa League, por nëse më herët vjen ndonjë ofertë joshëse, do ta pranojë pa thënë dy fjalë. Dy menaxherë të huaj, me dijeninë e Tiranës, kanë ndjekur Mervejlin në finalen e kupës, ku paraqitja e afrikanit ishte mjaft pozitive. Në teori, Tirana kërkon rreth 500.000 euro, por është e qartë që edhe për më pak se aq gjithçka mund të mbyllet me sukses dhe të gjithë të jenë të lumtur.

Albi Doka

Albi Doka është një tjetër futbollist që mund të lërë Shqipërinë. Lugano, Grasshoppers, kroatët e Hajdukut të Splitit dhe belgët e Gentit e kërkojnë futbollistin. Madje pardje ishte edhe një ushtrim menaxherësh në stadium për ta parë nga afër. Për lojtarin e Tiranës në tavolinën e klubit bardheblu thuhet se ka një ofertë 350 mijë euroshe. Kualiteti dhe garancia që ka dhënë në fushë në gjysmën e dytë të sezonit u shoqëruan me interesin e disa klubeve europiane për mbrojtësin e djathtë, ndërsa te Tirana ka ardhur edhe oferta e parë konkrete. Në këtë sezon, Doka debutoi në çerekfinalet e Kupës ndaj Kukësit, të luajtur më 1 shkurt, duke regjistruar 5 ndeshje në këtë aktivitet. Aq mjaftoi që ai të kthehej në titullar fiks te skuadra e Josës, duke u aktivizuar edhe në 17 ndeshje të kampionatit. Oferta prej 350 mijë eurosh për kartonin e Dokës për momentin nuk është prekur nga Tirana, por gjasat janë që ajo të pranojë të shesë futbollistin e saj, zbulim i 2017-ës, që ka bërë bujë edhe jashtë kufijve.

Erion Hoxhallari

Pogradecari i bardhebluve është një nga më të mirët e sezonit. Ka luajtur vetëm dy ndeshje më pak se Ilion Lika dhe ndoshta është lojtari me më shumë minuta në Superiore, veç portierëve. Prej kohësh lojtari shkëlqen në fushë, pikërisht në krahun e majtë. Erion Hoxhallari, në korrik hodhi firmën 2-vjeçare dhe është nën kontratë. Ish-mbrojtësi i skuadrës Shpresa vazhdon rrugën e nisur vite më parë në ekipet zinxhir të Tiranës. Por tani çështja është e ndërlikuar dhe duhet të lërë bardheblutë, edhe pse Hoxhallari është një nga investimet më të vlefshme që klubi ka bërë gjatë viteve të fundit, pasi ai ka gjetur hapësira aktivizimi në ekipin e parë që në moshë të vogël. Edhe për Hoxhallarin ka pasur oferta dhe gjasat janë që lojtari të largohet nga bardheblutë. Shkurt, të tre futbollistët janë në shitje. Tirana kërkon të marrë nga të tre 1 milionë euro. Kështu realisht do të shpëtohej sezoni. Të paktën një gjë po i shkon mirë kësaj Tirane. Futbollistët, por Halili me shokë duhet të jenë të zgjuar në merkato…gjithmonë nëse duan 1 milionë eurot.

 

 

Mervejl Ndokit

Vjeç: 18

Ndeshje: 36

Minuta: 3054

Gola: 5

 

Albi Doka

Vjeç: 19

Ndeshje: 22

Minuta: 1887

Gola: –

 

Erion Hoxhallari

Vjeç: 21

Ndeshje: 41

Minuta: 3690

Gola: 3

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *