Tifozët për rekord, meritojnë notën 10  

Asnjëherë më parë në stadiumin e Elbasanit nuk ishin parë 12 mijë tifozë për një ndeshje klubesh. E kanë bërë këtë për Skënderbeun e arritje fantastike

Që do të kishte një numër rekord tifozësh në stadiumin “Elbasan Arena”, kjo u kuptua që shumë ditë para, sepse shitja e biletave po ecte me një ritëm të jashtëzakonshëm. Nuk kishte vende bosh në këtë ndeshje dhe në mbështetje të Skënderbeut nuk ishin vetëm tifozë korçarë, por edhe nga qytete të tjera. Plot 7 mijë tifozë erdhën nga Korça të organizuar, ndërkohë që klubi kishte vënë në dispozicion të tyre 50 autobusë për transportin drejt Elbasanit. Mbështetja ka qenë më e madhe se kurrë më parë në këtë ndeshje, që kishte marrë një rëndësi të veçantë, duke qenë se vendoste kalimin ose jo në grupet e Europa League.

NOTA 10 – Dhe tifozët e Skënderbeut e bënë vërtet lojtarin e 12-të të ndeshje, ndaj meritojnë notën 10 për organizimin. Një falënderim special meritojnë të gjithë ata tifozë të skuadrave të tjera të vendit, që këtë radhë u bashkuan me “Ujqërit e dëborës”. E ka evidentuar këtë fakt edhe presidenti Ardjan Takaj, që i ka falënderuar veçanërisht të gjithë tifozët e pranishëm në stadium. Për t’u veçuar është edhe fakti që nuk pati asnjë incident gjatë ndeshje nga ana e tifozërisë, që ka manifestuar qytetërim. Skënderbeu e meriton këtë mbështetje kaq të madhe, por edhe këta tifozë e meritojnë këtë sukses të jashtëzakonshëm.

ULTRASIT MIQ – Para ndeshjes në Elbasan, kanë ardhur edhe “përforcimet” për tifozërinë korçare. Ishin rreth 40 tifozë nga Mitrovica, që kishin ardhur enkas për të mbështetur ekipin e Skënderbeut në këtë ndeshje. Një falënderim special edhe për ta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *