Jehona e kualifikimit, festë deri në të gdhirë në Korçë

0

Jehona e kualifikimit historik të skuadrës së Skënderbeut ka kaluar kufijtë. Jo vetëm korçarët, që ishin të pranishëm në “Elbasan Arena”, por edhe ata që e ndoqën sfidën e djeshme ndaj Dinamos së Zagrebit nga baret në qytetin e serenatave, kanë ndjerë emocione të mëdha. Por jo vetëm Korça, edhe Pogradeci, Devolli, Erseka, Maliqi e rrethinat, për 95-minuta kanë qëndruar me “zemër të ngrirë”. Në fund, kur ndeshja ka përfunduar 0-0 dhe skuadra e Skënderbeut ka siguruar kualifikimin për në grupe, ka shpërthyer festa. Një festë madhështore, që është ndjerë shumë në qytetin e Korçës, aty ku kanë shpërthyer fishekzjarret, por edhe shumë autovetura në autokolonë kanë përshkuar rrugët e qytetit për orë të tëra. Me flamuj e borie, por edhe me fanellat e ngjyrat karakteristike bardhekuqe të Skënderbeut, tifozët janë ndjerë si në “qiellin e shtatë”. Një festë, që ka përfshirë të madh dhe të vogël në qarkun juglindor, festë që ka zgjatur deri në të gdhirë. Skënderbeu, me kualifikimin historik të mbrëmjes së djeshme, i ka bërë të ndihen të gjithë krenarë, jo vetëm korçarët, por mbarë shqiptarët kudo ku ndodhen.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.