Interi për turp, teksa nuk arrin të fitojë në “San Siro” ndaj PSV edhe pse Barcelona në krahun tjetër i bëri një “nder” duke ndalur Totenhemin në një barazim, që anglezët e arritën vetëm në fund. Tashmë ekipi i Spaletit do të luajë në Europa Ligë, ndërsa Totenhem kalon më tej, falë golavarazhit në ndeshjet direkte me italianët.
Ndeshja nisi me vrull për zikaltrit, por një gafë e Azamoah në mbrojtje, sjell golin e Lozanos, i cili hesht “San Siron”, pas vetëm 13 minutash. Goli i dha një goditje të rëndë skuadrës së Spaletit dhe pavarësisht tentativave për të shënuar, zikaltrit shkuan në pushim në disavantazh.
Fraksioni i dytë ishte i gjithi një monolog i Interit, teksa u munduan me çdo forcë të shënonin dhe të kthenin gjithçka. Përpjekjet u shpërblyen pikërisht në minutën e 73-të, teksa Politano me një krosim perfekt gjen Mauro Ikardin, i cili shënon duke çuar peshë tifozët zikaltër.
Gjithsesi, ai gol duket se “e fiku” Interin, duke bërë që ekipi i Spaletit të ulte ritmin, pasi dhe rezultati në Spanjë në atë moment ishte 1-0, në favor të Barcelonës. Interi provoi minutat e fundit të ndryshonte diçka, por PSV ishte thuajse perfekte në mbrojtje. Çdo gjë u mbyll në 1-1 dhe zikaltrit tashmë janë jashtë Champions.
Në “Camp Nou” mjaftuan vetëm shtatë minuta që Dembele të dhuronte “shoë”, teksa “deh” mbrojtjen e Totenhem dhe shënon një supergol, duke i dhënë avantazhin katalanasve. Totenhem provoi dhe në minutën e 31-të kishte rastin më të mirë me Son, por ky i fundit gaboi i vetëm përballë Silesen.
Ekipi i Poçetinos u hodh i gjithi në sulm në pjesën e dytë, ku rastet ishin të shumta. Xhasper Silesen bëri një nga ndeshjet më të mira, teksa ndali disa herë “gjelat”, por atëherë kur ndoshta shpresat ishin zbehur, ishte Lukas Moura, i cili vuri baraspeshën. Një gol “i gatuar” nga Herri Kejn, i cili gjeti mjaft mirë brazilianin dhe ky i fundit nuk zhgënjeu, duke i dhënë kualifikimin Totenhemit.