Nejmar turfullon. Iku nga Barcelona për të luftuar për “Topin e Artë” dhe vetëm nëse fiton me PSG-në Champions League mund ta bëjë tijin atë trofe. Tanimë nuk mund të ankohet më se është në hijen e Mesit dhe gjërat nuk po shkojnë mirë.
Sulmuesi, pas barazimit që PSG regjistroi në shtëpi kundër Napolit, u largua nga fusha dhe nuk ia dha dorën askujt. Goli në shtesë i shënuar nga Di Maria, nuk solli asnjë emocion te Nejmar.
Vetëm një barazim, ndërkohë që vetë ai nuk arriti të shënojë dot gol. Por kishte edhe një moment tjetër gjatë ndeshjes, ku Kavani i ndërhyri në sparkatë pa dashje brazilianit. Edhe kjo me siguri e ka “tërbuar” sulmuesin, i cili vjet ka pasur shpesh përplasje me uruguaianin.
Sikurse kuptohet, atmosfera te kampionët e Francës nuk është aspak e mirë dhe lajmet se ai po mendon largimin në njëfarë mënyre marrin konfirmim. Gjithsesi, te Barcelona nuk është se e presin krahëhapur pas largimit. Ndoshta te Reali kanë filluar të numërojnë milionat…