Kamza është në një situatë mjaft të vështirë, pasi humbja 3-0 me Kastriotin i ka ndërlikuar akoma dhe më shumë pozitat e saj. Drejtuesit e ekipit nga periferia e kryeqytetit i besuan stolin Ernest Gjokës, i cili ka një detyrë aspak të lehtë.
Fati deshi që aventura e teknikut kryeqytetas të niste ndaj ish-skuadrës ku fitoi titullin, Kukësit. Një lajm i mirë është pa diskutim rikthimi i Olsi Teqes, i cili pas një muaji më në fund do të jetë i gatshëm për takimin me verilindorët.
Megjithatë, nuk do ta ketë grupin e plotë, pasi për shkak kartonësh do të mungojë Argjend Malaj. Mesfushori u ndëshkua me të verdhë në ndeshjen me Kastriotin, duke plotësuar numrin e katër kartonëve.