Teoria e Gjokës: Më mirë që na ra Debreceni, na duhen dy lojtarë

Kukësi do të përballet me Debrecenin në turin e parë të Europa League dhe në kampin verilindor e kanë pritur mirë shortin. Trajneri Ernest Gjoka, në një bisedë për SportEkspres.com, theksoi se një skuadër e vështirë e motivon skuadrën e tij ta përgatitë ndeshjen si duhet, sidomos në aspektin psikologjik.

“Unë mendoj se Debreceni është një nga skuadrat e forta të këtij grupi që kishim, është një ekip që ka një emër në futbollin hungarez. Më mirë kështu, pasi duke pasur një ekip të fortë përballë do të jemi edhe ne shumë të fortë psikologjikisht për ta përgatitur ndeshjen me kujdes dhe pse jo të mendojmë të kalojmë turin. Nuk është se kishim ndonjë dëshirë, shorti është short. Debreceni është një klub që ka një emër jo vetëm në Hungari, por edhe në kupat e Europës”, u shpreh Gjoka fillimisht.

Verilindorët vetëm një ditë më parë kanë nisur përgatitjet dhe trajneri i Kukësit deklaron se skuadra e tij do të jetë gati deri ditën e ndeshjes. “Deri para ndeshjes do të jemi gati, jo vetëm në elementët fizik dhe teknik-taktik. Do jemi gati edhe në aspektin psikologjik, pasi ndeshjet e Europës duan një përgatitje të lartë në këtë aspekt. Kjo është një nga armët kryesore tonat”, shtoi tekniku i Kukësit.

MERKATO – Emiljano Musta, Marko Van Basten Çela, ilir Avdyli dhe Bruno Lulaj janë afrimet e deritanishme te Kukësi. Gjoka pranon se kanë nevojë për afrime, por nuk duan të nxitohen. Ai thekson se duan të marrin lojtarë të saktë, të cilët nuk duhet të plotësojnë vetëm kriterin e të qenurit të mirë në fushë. Në futboll duhen edhe veti të tjera.

“Ne nuk është se kemi nevojë për shumë ndërhyrje, ndoshta na duhen 2 ose 3 lojtarë. Dy janë më të rëndësishmet, sidomos në pjesën e sulmit. Pjesa tjetër e skuadrës është, boshti është. Ndaj nuk po nxitohemi, duam që goditjet të jenë të sakta dhe të kenë gjithçka që ne kërkojmë, jo vetëm cilësitë si lojtarë, por edhe nga profesionale dhe qytetarë të jenë njerëz që të përshtaten sa më shpejt me mentalitetin shqiptar, me grupin dhe më pas të japin edhe maksimumin në lojë”, shtoi Gjoka.

REPARTI I SULMIT – Rexhinaldo, autor i 13 golave në kampionat sezonin e shkuar, vendosi të mos rinovojë kontratën me verilindorët. Edhe braziliani Uilliam Kordeiro u largua dhe firmosi te Partizani. Gjoka sigurisht kërkon lojtarë që t’i zëvendësojnë dhe të jenë pse jo edhe më të mirë se ata.

“Të dy ata që janë larguar kanë qenë lojtarë me cilësi. Sa duket ata nuk donin të rrinin më tek ne, donin të shikonin të ardhmen e tyre. Tani po shikojmë të plotësojmë grupin me lojtarë të tjerë me cilësi si ata, ose edhe më të mirë”, tha tekniku kryeqytetas, i cili më pas foli edhe për Valdet Ramën.

“Valdet Rama është lojtar i Kukësit. Vjen shumë shpejt në stërvitje. Këto ditë ka pasur një problem familjar, ndaj ka qenë larg. I kemi dhënë leje dhe brenda kësaj jave do jetë me skuadrën për t’u përgatitur për ndeshjen e parë me Debrecenin”, përfundoi Gjoka.

VLADIMIR PRENGA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online