Mesfushori i Partizanit, Bruno Telushi, u bë vendimtar sot, duke shënuar një gol të shkëlqyer nga goditja e dënimit, që vlejti 3 pikët e para sezonale. Pas ndeshjes, për “Gol pas Goli” në Supersport, Telushi pranoi se tashmë ndihet shumë më mirë se para disa muajsh, ndërsa beson se në garë për kreun Partizani ka shumë rivalë.
“Sezonin e shkuar pata disa vështirësi në aspektin fizik, sepse kisha mbetur mbrapa për shkak të dëmtimit, por këtë vit me ndryshimin e trajnerit dhe fazën e plotë përgatitore ndihem mirë.”
“Momenti i bisedës me Plakun para penalltisë? Së pari, nuk ishte penallti. Pastaj, Plakut i thashë që do ta humbiste penalltinë, sepse Alban Hoxha është mjeshtër i penalltive. Desha ta ngarkoj pak psikologjikisht.”
“Vuajtjet në pjesën e parë? Ndoshta Kamza na befasoi me lojën e saj, por edhe terreni nuk ishte aspak i mirë dhe u detyruam të luanim shumë me topa në ajër.”
“Partizani dhe titulli? Partizani futet me mendimin për të fituar çdo ndeshje, ndërsa titulli varet nga shumë gjëra, duhet edhe fat. Ne duam të fitojmë çdo ndeshje dhe më pas të shohim në fund. Do të jetë një kampionat i fortë, janë 5-6 skuadra mjaft cilësore dhe që do të luftojnë për vendet e para deri në fund.”