Partizani do të luajë ndeshjen e kthimit përballë Karabakut në Baku, pas ndeshjes së parë të mbyllur 0-0 në “Selman Stermasi”. Të besuarit e Franko Lerdës bënë një ndeshje të mirë në Tiranë, por në një fushë si ajo e Karabakut, parashikohet një sfidë shumë e vështirë.
Një nga lojtarët më të rëndësishëm të “Demave”, Bruno Telushi, ka folur para kësaj sfide për RTSH Sport, ku u shpreh: “Duhet të korrigjojmë daljet në sulm në ndeshjen e kthimit. Nëse do kundërsulmojmë si në ndeshjen e parë dhe të dalim më mirë në sulm, besoj se do ia dalim të kualifikohemi. Duhet rregulluar edhe mbajtja e topit”.
“Në Azerbajxhan, Partizani shkon si një ekip i fortë, se bëri një ndeshje të parë të mirë. Sa për pjesën e besimit, kemi shumë besim te kualifikimi se të gjithë e panë në Tiranë që jemi ekip i fortë dhe i vështirë. Penallti? Kemi punuar edhe për to, por më mirë do ishte të zgjidhej gjithçka në 90 minuta”, tha mesfushori.