Habiti Italinë sezonin e shkuar, duke dhuruar spektakël te Sampdoria, ndërsa këtë verë e prenotoi Juventusi, duke e parë të shkëlqente edhe në Europianin U-21.
Patrik Shik u kthye i lumtur në Itali, kreu vizitat mjekësore dhe foli si juventin, por pastaj diçka ngeci. Kontrollet mjekësore evidentuan një problem dhe Juventusi hoqi dorë, bujshëm.
Sampdoria akuzoi për mungesë ndershmërie dhe i konsideroi gënjeshtra lajmet për probleme fizike serioze.
Më pas, në skenë u fut Interi, edhe aty bisedime e kontrolle mjekësore, por përsëri gjithçka mbeti pezull, ndërsa 21-vjeçari çek mbytej nga depresioni.
Tani Shik gjen klubin e ri: është Roma, që ka vendosur ta blejë, duke mbyllur gjithçka me Sampdorian për huazim për 6 milionë euro, por edhe 25 milionë për blerjen e detyruar dhe 7 milionë bonuse. Rekord për pronarët amerikanë të Romës, nuk kishin shpenzuar kurrë kaq shumë për një futbollist.
Kontratë 5-vjeçare, me më shumë se 2 milionë euro në vit, plus bonuse. Të gjithë të lumtur, por ka ende edhe pak… kontrolle mjekësore.
Presidenti i Sampdorias, Masimo Ferrero, një tip komik, deklaroi sot në eufori e sipër: “Si Shik lind një në 100 vjet. Është më i mirë se Bekenbauer”. OK, qetësohu president!