Pak ditë parë Interi njoftoi rinovimin e kontratës me mesfushorin kroat Marcelo Brozoviç deri në vitin 2022. Futbollisti 25-vjeçar është kthyer në një titullar fiks në skuadrën e drejtuar nga Luçiano Spaleti dhe në ndeshjen e fundit ndaj Lacios ishte ndër lojtarët më të mirë në fushë.
Kroati përshkroi 12 kilometra dhe shënoi një gol në fitoren 3 – 0 të zikaltërve, duke konfirmuar momentin e mirë që po kalon. Por, kjo ecuri e mirë e lojtarët ka shtuar zërat për një largim të tij nga kampionati italian.
Gjithçka lidhet me klauzolën e largimit në kontratën e tij të re që është vendosur në kuotën e 60 milionë Eurove. Kjo shumë e madhe mund të përballohet nga një sërë klubesh “BIG” në kampionatin anglez, ku më e përfoluri për momentin është Çelsi, një skuadër kjo që e ka kërkuar me ngulm edhe në të shkuarën lojtarin e formuar nga akademia me famë botërore e Dinamos së Zagrebit.