Të rinj dhe plan konkret, Reja: Kështu do e ndërtoj Shqipërinë time!

Shqipëria ka në program dy ndeshjet e radhës për kualifikueset e Euro 2020. Kuqezinjtë më 8 qershor përballen me Islandën në transfertë, kurse tre ditë më pas presin Moldavinë në “Elbasan Arena”. Edi Reja do të debutojë në stol dhe italiani ka mbërritur në Shqipëri, ku edhe do të nisë një grumbullim me një pjesë të lojtarëve në Durrës.

Një ditë më parë ai pa nga afër ndeshjen Tirana-Kastrioti nën shoqërinë e Ervin Bulkut dhe Hamdi Salihit, të cilët do të jenë pjesë e stafit të tij. Ai ka folur në lidhje me grumbullimin që kuqezinjtë do të bëjnë dhe ka theksuar se nuk do të ketë revolucion.

“Duhej t’i njihja më parë lojtarët, sepse nuk kemi pasur kohën e duhur. Tani që jemi këtu duhet të njoh të paktën fytyrat, sepse mund të jenë 25 lojtarë ose 28 dhe ne kemi shumë pak kohë në dispozicion. Kështu që duhet të fillojmë të krijojmë ide të qarta”, thotë fillimisht Reja në intervistën e dhënë për Top Channel.

“E kam një listë me 32-33 futbollistë, por është e qartë se më të favorizuarit janë ata që aktivizohen më shumë, sepse kemi nevojë për ata që janë në gjendjen më të mirë fizike”, shtoi italiani.  Emrat e rinj nuk do të mungojnë dhe Reja deklaron se i ka nën vëzhgim.

“Do të mbaj grupin aktual të lojtarëve, por padyshim që do të ketë edhe prurje të reja, sidomos të atyre lojtarëve të rinj që po i studioj. Më pas do të vendosim në një moment të dytë”. Sigurisht tekniku italian është “ngacmuar” edhe për stilin e lojës.

“Të gjithë presin që skuadra të luajë në sulm dhe unë jam një prej tyre, por për këtë duhen elementët e duhur që duhet të marrësh në konsideratë. Gjithashtu duhet vlerësuar edhe kundërshtari që ke përballë”, përfundon Reja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *