Merkato e dimrit po afron dhe te Milani nuk po mendojnë vetëm për afrimet. Dy prej lojtarëve që kanë zhgënjyer më shumë deri më tani janë Alen Haliloviç dhe Timue Bakajoko. I pari erdhi me kosto 0 dhe ishte blerja e fundit e drejtuesve të vjetër të Milanit, ndërsa mesfushori francez është i huazuar nga Çelsi deri në fund të sezonit.
Kroati Haliloviç nuk është përdorur qoftë dhe njëherë nga Gatuzo dhe divorci në janar duket mëse i sigurt. Sipas raportimeve në mediet spanjolle për 22-vjeçarin janë të interesuara disa ekipe në vendin iberik dhe transferta e tij mund të bëhet përkundrejt një kostoje simbolike.
Çështja e Bakajokos është më e ndërlikuar. Për të u shpenzuan pesë milionë euro për ta huazuar nga “blutë” e Londrës dhe rroga e tij është ndër më të lartat në skuadër. Mesfushori nuk po arrin të përshtatet në futbollin italian dhe gjasat që Milani të aktivizojë klauzolën prej 35 milionë eurosh janë inekzistent, të paktën për momentin. Nuk përjashtohet mundësia që lojtari të kërkojë largimin që në janar, në mënyrë për të pasur minuta në një ekip tjetër, por për këtë atij do i duhet të paguaje nga xhepi i tij.