Mauro Ikardi me shumë mundësi zhvilloi ndeshjen e fundit si zikaltër. Kundër Empolit u arrit një fitore drithëruese, ndërsa sulmuesi e mbylli shumë keq. Me një penallti të humbur, që mos të ishte për mrekullitë e Handanoviç, të gjithë nuk do ta harronin kurrë, por edhe shumë fishkëllima.
Tifozët i kanë vënë vizën dhe shitja e tij duket e pashmangshme. Uanda Nara ka folur pas ndeshjes së mbrëmjes së kaluar për “Tiki Taka”. Agjentja dhe gruaja i ka dalë në mbrojtje argjentinasit, ndërsa konfirmon dëshirën për të qëndruar edhe sezonin e ardhshëm tek Interi.
“Penalltitë i humbet ai që ka b… për t’i gjuajtur. Mauro është i ftohtë, por i qëllon edhe Mesit e Ronaldos t’i humbasin penalltitë. Mos harroni që ka shënuar dy penallti të rëndësishme pas rikthimit.
Interi arriti objektivin. Ishte një ndeshje me shumë emocione. Të jesh interist do të thotë se zemra funksionon për mrekulli. Tani boll më, le të mendojmë për sezonin e ri.
Fishkëllimat për Ikardin? Ndonjëherë nuk mjafton një gol i shënuar Barcelonës, Totenhemit, tre gola në derbi dhe 124 gola në moshën 26-vjeçare. Ndonjëherë askush nuk i jep dum kur ti luan i dëmtuar. Ndonjëherë futbolli të vë para provave të rënda. Ndihem krenar që Mauro është një burrë i madh, përpara se të jetë një futbollist i madh”, përfundon Uanda Nara.