Komiteti Ekzekutiv, i mbledhur sot, ka miratuar strukturën dhe skemë për Kategorinë Superiore. Nga sezoni 2019-2020 do të zbresin direkt dy skuadra (vendi i 9 e 10) dhe vendi 8-të do të luajë një ndeshje play-out me fituesen e play-offit të Kategorisë së Parë.
Vendet e dyta në të Parën përballen mes tyre në një ndeshje finale dhe luajnë me vendin e tetë të Superiores, në fushën e këtyre të fundit. Në këtë ndryshim kjo është ajo çka han diskutim, pasi sikurse kuptohet favorizohen ekipet që garojnë në elitë.
Ndërkohë është përcaktuar edhe se kur nis kampionati: më datë 24 gusht 2019. Java e fundit zhvillohet 23 Maj 2020. Nuk ka ndryshim për Superkupën, që do të luhet më 18 gusht të vitit 2019. Vendim i rëndësishëm ishte edhe rrëzimi i kërkesës së ligës për të çuar në pesë numrin e të huajve që lejohet të luajnë në një ndeshje të Superiore. Sërish do lejohen vetëm katër të huaj.
LICENCIMI – “KE vendosi shtyrjen e mbledhjes se Komisionit të Licencimeve të klubeve për dhënien e licencave të Kategorisë Superiore për edicionin 2019-2020. Afati i fundit për pranimin e dokumentacioni përkatëse konform Rregullores së Licencimit të Klubeve për pjesëmarrjen në veprimtaritë e FSHF-së, Neni 13, dhe Pika V e Aneksit I (Kriteret Financiare) do të jetë data 31 Korrik 2019.
Në rast se edhe pas këtij afati, kriteri financiar nuk do të jetë përmbushur, materialet do t’i paraqiten Komisionit të Licencimit të Klubeve në gjendjen aktuale, çka do të thotë se klubi mund të rrezikojë mosmarrjen e licencës e për rrjedhojë edhe mospjesëmarrjen në kampionatin Kombëtar të Kategorisë Superiore për sezonin 2019-2020”, njofton FSHF.