Ndërkohë që tifozët po presin Hames Rodrigez, Napoli po kërkon një sulmues. Spanjolli Rodrigo refuzoi nënkampionët e Italisë, ndërsa Mauro Ikardi po pret Juventusin. Oferta e De Laurentis është tunduese, por argjentinasi synon transferimin në Torino.
Në një situatë të tillë, Napoli ka nisur negociata me Nikolas Pepe. Sulmuesi vjen nga një sezon fantastik. 24-vjeçari shënoi 22 gola dhe dhuroi 11 asiste në kampionatin francez sezonin e fundit, duke ndihmuar Lilën të rikthehet në Champions Ligë.
Pepe është teknik, i shpejtë dhe i fortë. Atij i pëlqen të niset nga krahu i djathtë, por bën mirë edhe rolin e qendërsulmuesit. Konkurrenca për shërbimet e sulmuesit afrikan është e madhe.
PSG, Bajern Mynih, Liverpul, Everton dhe Lion po e monitorojnë nga afër dhe po negociojnë me agjentët e lojtarit nga Bregu i Fildishtë, ndërsa Lila kërkon të paktën 65 milionë euro. Napoli po tenton t’i mbushë mendjen me anë të Kevin Malkuit, i cili ishte shok skuadre me Pepen te Lila përpara se të transferohej në Serie A.