“Të gjithë po më ulërinin që të mos gjuaja…”, Kompani rrëfen golin-titull!

Leister Siti zhvilloi një ndeshje shumë të fortë dhe i rezistoi për 70 minuta ekipit të Guardiolës. Te tifozët e Mançester Sitit u rrit tensioni dhe frika që mund të humbisnin titullin kampion, por kapiteni vendosi të merrte situatën në dorë dhe ta zgjidhte atë.

Vinsent Kompani marshoi drejt sulmit, nuk i dëgjoi ulërimat e shokëve, të cilët prisnin një pasim, dhe goditi portën. Një e djathtë fantastike që pushoi në trekëndësh. Për të thyer Leisterin nevojitej një kryevepër si ajo e mbrojtësit belg dhe stadiumi kaloi në ekstazë.

Lojtari po mbyll sezonin e 11-të me Sitin dhe zbulon një detaj interesant para shënimit të golit historik, që mund t’i dhurojë titullin kampion ekipit nga Mançesteri.

Të gjithë po më ulërinin që të mos gjuaja, por nuk kam arritur në këtë pikë të karrierës për të më thënë të tjerët se çfarë duhet të bëj. Luaj me mesfushorë të mëdhenj prej 15 vitesh, të cilët më kërkonin që të mos gjuaja. Ju kam thënë që një ditë do të gjuaj nga jashtë zone dhe do të shënoj gol. Nuk ka shumë rëndësi sasia e golave sesa koha kur i shënon. Kundër Leisterit ishte jetike. Kasper (Shmajkëll) kreu disa pritje deçizive dhe ndoshta vetëm kështu mund të pësonte gol. Ata u mbrojtën mirë dhe vuajtëm në pasimin e fundit. Jam i lumtur për klubin dhe tifozët, por kemi edhe një ndeshje. Nuk kemi fituar akoma asgjë”, përfundon kapiteni i ekipit kryesues.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *