David Neres po kalon sezonin e tij më të mirë në karrierë, pasi me fanellën e Ajaksit, ka bërë paraqitje të shkëlqyera. Numri 7 i ekipit holandez është objektiv i shumë skuadrave të njohura europiane, por ekipi që duket më afër tij, duket Arsenali.
Sipas “The Telegraph”, ekipi londinez ka takuar drejtuesit e klubit holandez dhe kanë bërë një ofertë prej 40 milionë eurosh. Kjo ofertë as nuk është pranuar, e as nuk është refuzuar nga skuadra holandeze, të cilët kanë kërkuar kohë që të mendohen për këtë shumë.
Vetë Neres ka shprehur dëshirën e tij për të luajtur në një kampionat më të fortë dhe Premier Liga shihet si një opsion për të. Mbetet për t’u parë se ku do të jetë e ardhmja e 22-vjeçarit brazilian, por ekipi i Arsenalit duket shumë i vendosur për të arritur te shërbimet e tij.