Mauro Ikardi ka qenë ai që ka shqetësuar ditët e fundit tifozët e Interit, por drejtuesit e klubit dhe Uanda Nara, bashkëshortja dhe njëkohësisht menaxherja e argjentinasit, janë takuar ditën e sotme për të folur dhe për të ulur “tensionin” e ditëve të fundit.
“Tifozët e Interit mund të rrinë të qetë: Mauro ka akoma një kontratë të vlefshme edhe për dy vite dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”, është shprehur Vanda, duke rikthyer humorin në kampin zikaltër. Për momentin ka “paqe” raporton Andrea Paventi, gazetar i Sky Sports.
Marota, Auzilio e Gardini mendohet ta kenë takuar Uandan të hënën, duke konfirmuar se të dyja palët kanë dëshirë të vijojnë së bashku. Ishte takimi i parë mes Uandas dhe administratorit të ri zikaltër, Bepe Marota, ndërsa ditët e ardhshme është planifikuar takim i ri, duke folur edhe për shifrat.
Ndjesia është se Interi do të pranojë ta mbajë klauzolën e prishjes së kontratës, por ende nuk ka një shifër mbi të cilën ka marrëveshje, me Interin që kërkon ta çojë mbi 150 milionë euro për klubet jashtë Italisë.