Tirana vijon me përgatitjet, ndërkohë që presidenti Refik Halili ka menduar që të qartësojë gjithçka para nisjes së fazës përgatitore në janar. Për këtë ai ka thirrur në takim trajnerin Ardian Mema dhe drejtorin sportiv Arbi Laçi. Temat për të cilat kanë folur kanë qenë të shumta.
Fillimisht Halili ka shprehur besimin maksimal për Memën. Nën drejtimin e tij lojërat e Tiranës kanë qenë të mira, por ka pasur probleme kryesisht në mbrojtje. Gabimet e bëra kanë sjellë disa rezultate negative, kurse fitorja e fundit me Flamurtarin ka rikthyer qetësinë.
PLANET E SË ARDHMES – Në atë që raportohet nga Supersport, presidenti Refik Halili ka vendosur që për pjesën e dytë të sezonit do të ketë një shtesë në buxhetin mujor, që do të rritet me rreth 8 mijë euro më shumë. Kjo pasi po mendohet të afrohen 2-3 lojtarë.
Synim është afrimi i një mbrojtësi dhe i një mesfushori. Dëshira është që afrimet të jenë lojtarë vendas, por mbetet për t’u parë nëse tregu do të ofrojë emra interesantë. Së fundmi emri i Behar Ramadanit është lakuar si opsion, por zor se te Luftëtari do e lënë të lirë mesfushorin shkodran.
PROBLEMI – Tirana e pësoi nga UEFA vjet, pasi qeveria e futbollit evropian vendosi të mos akordonte të ardhurat për pjesëmarrjen në kupat e Europës. Kështu bardheblutë nuk duan të bëjnë gabimet e së shkuarës për licencimin, ndaj edhe Halili pritet që të punojë për zgjidhjen e problemeve që kanë me Tatimet. Llogaritë e klubit të Tiranës janë të bllokuara dhe për këtë numri një i klubit bardheblu duhet të gjejë një zgjidhje.