Takaj: Latifi ikën pas Europës, marrim sulmues të huaj

Fatjon Rupi

Skënderbeu është zhvendosur në Slloveni prej dy ditësh. Ekipi ka nisur përgatitjet për Kupat e Europës, por presidenti Ardjan Takaj ende nuk ka udhëtuar për të qenë pranë të tijve. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, kreu i klubit korçar thotë se do të bashkohet me ekipin pas 2-3 ditësh, ndërkohë që sqaron disa nga çështjet më të rëndësishme të momentit. Ai pohon se Liridon Latifi do të shitet pas ndeshjeve të Europa League. Po ashtu, garanton tifozët për një Skënderbe të madh, që do të shkojë larg. Numri 1 i klubit juglindor bën me dije se po punohet për blerje të bujshme në sulm, për lojtarë që do të vijnë nga jashtë, sepse në tregun vendës nuk ka lojtarë klasi për repartin e avancuar. Ja intervista e plotë e presidentit Takaj…

– Z.Takaj, mund të na thoni pse e keni shtyrë udhëtimin tuaj drejt Sllovenisë, ku ndodhet aktualisht ekipi juaj?
– Jam president i ekipit dhe e rëndësishme është që Skënderbeu ka nisur punën tashmë në Slloveni, ku do të qëndrojë deri më 22 qershor. Pas kësaj faze besojmë shumë se do të jemi 100% gati për ndeshjet europiane. Për momentin, ndodhem në kryeqytet për punët e mia dhe mendoj se pas 2-3 ditësh do të jem në Slloveni, ku do të qëndroj deri ditën e fundit të fazës përgatitore.
Me shumë interes priten nga tifozët korçarë lëvizjet në merkato. Çfarë po ndodh me Skënderbeun e ri?
– Deri tani kemi afruar dy lojtarë, Shkodrën dhe Ditën. Por ky është vetëm fillimi, sepse ditët e ardhshme presim lojtarë të tjerë dhe nuk do të ndalemi deri në fund. Sigurisht, do të ketë edhe largime, por gradualisht dhe me kujdes do të veprojmë në çdo lëvizje që do të bëjmë.
Më emergjente për momentin janë afrimet në vijën e parë të sulmit. Keni alternativa?
– Patjetër që po mendojmë shumë për sulmin, pasi aty kemi mungesë lojtarësh. Ju garantoj se do të kemi në të tre repartet përforcime. Merkatoja sapo ka filluar dhe nuk do të nxitohemi për afrimet e tjera në mbrojtje dhe në mesfushë, pavarësisht se në këto reparte kemi lojtarë.
Mund të na e zbuloni goditjen e tretë të verës për Skënderbeun?
– Do të jetë sulmues, pasi aty e kemi përqendruar punën. Por, përderisa nuk e kemi mbyllur marrëveshjen, nuk mund të them asnjë emër.
– Do të jetë nga tregu i huaj apo shqiptar?
– Po, në tregun e huaj jemi duke punuar, pasi në Shqipëri nuk ka sulmues. Kemi parë me kujdes të gjitha variantet e mundshme dhe tani jemi duke punuar së bashku me menaxherët vetëm në tregun e huaj. Shumë shpejt do t’i shikoni blerjet e tjera, sepse klubi ynë e bën të ditur gjithçka, pasi të jetë mbyllur marrëveshja. Nuk mund të flasim me hamendësi, pa hedhur të zezën mbi të bardhë.
Thatë që do të ketë afrime në të gjithë repartet. Po largime të tjera, do të ketë?
– Nuk mund ta parashikoj nëse do të ketë apo jo largime të tjera, sepse varet nga afrimet dhe sa efikase do të jenë ato. Kur trajneri Ilir Daja të bindet se afrimet janë të vlefshme për ekipin, do të largojmë ata lojtarë, që nuk janë për Skënderbeun.
– Ka kohë që flitet për Afrim Takun…
– Di që Taku është në SHBA dhe nuk kam çfarë të them më shumë. Nuk e di çfarë vendimi ka marrë vetë lojtari, por këto janë hipoteza merkatoje. Ne jemi klub serioz dhe e quajmë të mbyllur një blerje kur futbollisti firmos.
– Kur do të shitet Liridon Latifi?
– Liridon Latifi do të shitet pas ndeshjeve të Europa League. Është një lojtar që besojmë shumë se do të na bëjë shumë punë në ndeshjet europiane. Aty shpresojmë për një tjetër paraqitje të shkëlqyer të tij dhe më pas do të lërë Skënderbeun për një ekip europian.
– Si e mendon presidenti Takaj Skënderbeun e Europës, por edhe atë të sezonit të ri?
– Një Skënderbe, që do të shkojë larg. Absolutisht e besoj këtë. Do të tregojmë forcën e skuadrës sonë edhe në Europë. Tani është kohë merkatoje dhe jemi duke menduar vetëm për të. Jemi të bindur se do të afrojmë lojtarë cilësorë dhe do të kemi një skuadër super. Sa për Skënderbeun e sezonit tjetër, është shpejt të flasim. Vëmendja është te Europa League.
– Së fundi, diçka në lidhje me shtyrjen e vendimit të Etikës?
– Duhet të flas me nge për këtë temë. Nuk mund të flitet vetëm me një fjali apo më shumë se kaq. Etika ka punën e saj, ne kemi punën tonë. Jemi duke menduar vetëm për Europën në këtë moment.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online