Takaj bashkohet sot me ekipin, priten zhvillime për sulmin

“Bosi” i bardhekuqve do të jetë sot në kompleksin ku po stërviten korçarët. Do të shohë miqësoren e parë dhe mund të ketë të reja për merkaton

Leonard Trebicka

Një ditë rutinë stërvitjeje ishte e diela në kampin korçar, në Roganska të Sllovenisë. Nga sot gjërat pritet të ndryshojnë, sepse pranë Skënderbeut do të jetë edhe presidenti Ardjan Takaj. Vetë kreu i klubit korçar ka bërë me dije para disa ditësh se do të udhëtonte për në Slloveni dhe momenti ka ardhur. Skënderbeu luan sot, në orën 18:00, ndeshjen e parë miqësore dhe presidenti Takaj dëshiron t’i shohë të tijtë nga afër. Pak ditë më parë ka shkuar në Slloveni edhe menaxheri i përgjithshëm Gerhard Takaj, i cili prezantoi edhe blerjen e dytë verore, atë të Bruno Ditës. Pas miqësores pritet që presidenti Takaj të takohet me lojtarët dhe të bisedojë me ta. Sigurisht, një takim të veçantë Takaj do të ketë me trajnerin Ilir Daja, pasi është kohë merkatoje dhe kjo është tema më e nxehtë e momentit. Drejtuesit e Skënderbeut janë dukur punuar për ta përforcuar edhe më shumë skuadrën e tyre, në mënyrë që ajo të bëjë një prezantim sa më dinjitoz në Kupat e Europës dhe në sezonin e ri. Shkodra dhe Dita janë dy afrimet zyrtare deri tani.

SULMI  – Shqetësimi kryesor i stafit të Skënderbeut në këtë moment është sulmi. Jo më kot u kthye në ekip Sebino Plaku, pasi ka vështirësi në gjetjen e sulmuesve të kërkuar. Largimi i Hamdi Salihit la një gropë të madhe në radhët e bardhekuqve dhe këtë e di mirë trajneri Daja. Nga drejtuesit po kërkohen me ngul dy sulmues kalibri dhe ditët në vazhdim ata do të mbërrijnë te Skënderbeu, por koha kalon dhe ekipi duhet të jetë gati për ndeshjet e Europa League. Sulmuesit e rinj do të jenë të huaj, siç ka pohuar edhe vetë presidenti Takaj, por pa zbuluar emra apo pista konkrete. Emri i parë që doli në skenë ishte Ibraimi i Shkëndijës së Tetovës, por që kishte një kosto shumë të lartë. Burime pranë drejtuesve të Skënderbeut bëjnë me dije se ditët e fundit ka pasur shumë sulmues kandidatë, por përzgjedhja do të bëhet me kujdes, sepse synohen ata që vërtet vlejnë për Skënderbeun. Të gjithë në Korçë presin që të mësojnë emrat e sulmuesve të rinj të Skënderbeut.

MUNGESAT – Tre futbollistë i mungojnë ende grupit në përgatitjet sllovene. Sot pritet që njëri prej tyre të mbërrijë dhe ai është Xhejms Adeni, i cili tashmë e ka marrë vizën dhe do të udhëtojë nga Nigeria për në Slloveni. Sot nuk mendohet të stërvitet, pasi do të jetë i lodhur nga udhëtimi, kështu që nga nesër do të jetë gati për trajnerin Ilir Daja. Latifi dhe Shehi janë dy futbollistët e grumbulluar me Kombëtaren, që do të pushojnë disa ditë më shumë dhe rreth datës 18 qershor do të jenë në Slloveni me ekipin.

STËRVITJA – Skënderbeu mbylli dje ditën e katërt të qëndrimit në Slloveni dhe të tretën stërvitore. Deri tani trajneri Daja ka zhvilluar 6 seanca me grupin e lojtarëve. Paradite Skënderbeu zhvilloi seancën e radhës atletike, kurse pasdite është punuar me topin. Me këtë ritëm do të vijohet deri ditën e fundit, ndërkohë që lojtarët, sipas stafit teknik, kanë marrë dozën e duhur të ngarkesës në këto ditë, ku nuk ka pasur asnjë shqetësim me dëmtimet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *