Boksieri i peshave të rënda Tajson Fjuri ka rrëfyer problemet e tij me depresionin në një intervistë në emisionin e njohur “The Joe Rogan experience”. 30-vjeçari, i cili në vitin 2015 shokoi botën e boksit duke mundur një legjendë si Vladimir Kliçko, nuk e pati të lehtë t’i bënte ballë problemeve të shëndetit mendor, madje në intervistë ai përmedn një rast konkret kur ishte shumë pranë vetëvrasjes.
“Filluan të më vënin në mendje disa mendime krejtësisht të çmendura. Sapo kisha blerë një Ferrari në verën e 2016-ës. Isha në autostradë dhe i dhashë gaz deri sa shkova te 250 kilometra në orë dhe përballë kisha një urë. Për një moment mendova t’i jepja fund. Nuk më interesonte asgjë në jetë. Por, në sekondat e fundit, dëgjova një zë në kokë që më shoshte: Tajson mendo për fëmijët e tu”, tha boksieri në rrëfimin e sinqertë.
Tajson Fjuri do të ndeshet me datë një dhjetor ndaj boksierit të pamposhtur amerikan Deontej Uajlldër. Në rast se boksieri nga Mançesteri do të arrijë të mund kundërshtarin e tij, atëherë ai do fitojë titullin “WBC” dhe do t’i hapet rruga luftimit me bashkëkombësin e tij dhe mbajtësin e tri brezave kampion, Antoni Xhoshua.