Jemi ende në mesin e sezonit, por klubet e pasur i bëjnë llogaritë me kohë për të ardhmen, duke u munduar të sigurojnë talentet që po spikatin nëper botë.
Një prej tyre është mesfushori holandez Frenki de Jong, një zbulim i madh tek Ajaksi. E duan klubet më të mëdhenj në Europë, por vetë mesfushori i ri tregohet i matur.
“Është e vështirë të them se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Për momentin jam shumë i fokusuar që të mbyll sezonin me Ajaksin dhe më pas do të shohim se çdo të ndodhë. Mund të qëndroj edhe një vit tjetër këtu, por mund të ndodhë që edhe të largohem. Nuk i kushtoj rëndësi asaj se çfarë thuhet për mua”, tha para pak ditësh mesfushori, i cili pëlqehet sidomos nga Barcelona, Bajerni dhe PSG.
Megjithatë, babai i tij ka dhënë një deklaratë që shtang dy klubet e fundit: “Me 95% do largohet në fund të sezonit. Në pranverë do vendosë për të ardhmen dhe mendoj se Barcelona do ishte ekipi ideal për të”.
Ajaksi pret, i qetë: çmimi i lojtarit që tani ka shkuar te 70 milionë eurot.