Ka një duel për shërbimet e sulmuesit Federiko Kieza. Sulmuesi 20-vjeçar ishte autor i një asisti mjaft të bukur në ndeshjen e fundit të Fiorentinës, ndërkohë që për të interesohen shumë klube. Në Itali Juventusi dhe Interi janë vënë në garë shkruan “Tuttosport”.
Bardhezinjtë kanë një raport të mirë me vjollcat, pasi kanë arritur t’u blejnë Bernardeksin, kurse këtë verë u dhanë Pjacën, ndaj edhe dyert e tyre janë të hapura për të biseduar. Gjithsesi Kieza nuk kushton pak, por plot 70 milionë euro.
Nga ana tjetër Interi po ndjek një tjetër strategji. Trajner Luçiano Spaleti është futur drejtpërsëdrejti në bisedime me Enriko Kiezën, të atin e Federikos që bën edhe menaxherin e lojtarit të Fiorentinës. Objektivi është që të bindet sulmuesi dhe më pas Interi të bëjë ofertën e duhur në klubin vjollcë.