Stojku sfidon Vllazninë: Në Peqin, stadiumi “pushtohet” nga shijakasit!

0

Sot në ndeshjet e javës së 15-të, skuadra e Erzenit që renditet në vendin e 2-të do të luajë me Vllazninë e vendit të 1-rë në Grupin A të Kategorisë së Parë. Një ndeshje e vështirë kjo për skuadrën shijakase, jo vetëm se ndeshet me rivalin direkt për kreun në këtë grup me të cilin në renditje e ndajnë 7 pikë diferencë, por edhe për faktin se do të luhet në fushë asnjëanëse në stadiumin e Peqinit, pasi stadiumi “Tofik Jashari” është i dënuar me 4 javë nga Komisioni i Disiplinës në FSHF.

Për SportEkspres.com trajneri i Erzenit, Gentjan Stojku deklaron se kjo është një ndeshje e rëndësishme për skuadrën që ai drejton, jo vetëm për t’iu afruar Vllaznisë në kreun e renditjes. “Ndaj Vllaznisë luajmë për vendin e parë në grup dhe në Peqin do të luajmë vetëm për tri pikët. Barazimi nuk na bën punë në synimet tona, por edhe fusha asnjëanëse nuk na penalizon. Në Peqin presim që stadiumi të ‘pushtohet’ nga tifozeria shijakase, e cila do të jetë pjesë e suksesit në këtë sfidë delikate”.

Sot në këtë përballje ndaj Vllaznisë, Stojku do të aktivizojë në sulm dy të afruarit e merkatos së janarit, Mahmutaj e Peqini. Erzeni renditet në vendin e 2-të në Grupin A me 28 pikë, 7 pikë më pak nga Vllaznia kryesuese në këtë grup.

AGRON KAJA

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.