Starova: Nuk më intereson posti i Dukës, ai të shkonte në finalen e kupës

Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, i ftuar në “Rubrikën Sportive” në RTSH, është ndalur pak te kupa e Shqipërisë dhe më shumë është marrë me presidentin e FSHF-së Armand Duka, me të cilin është në konflikt të hapur prej kohësh. Para dy ditësh Duka deklaroi se Starova ka dëmtuar Partizanin, me ambicien e vet për t’u bërë president federate, por Starova e mohon prerë këtë pretendim. Gjithashtu, Duka ka evidentuar edhe faktin që Duka nuk ishte i pranishëm në finalen e kupës.

 

DUKA DHE KUPA – “Duka nuk ka as edukatë dhe thotë që bën tifozllëk për Tiranën. Ajo deklaratë mund të bëhet në ambiente të tjera, jo para gazetarëve. Ne kemi vite nuk kemi në stadium personalitetet e mëdhenj të politikës e të shtetit, por në këtë finale mungoi edhe presidenti i FSHF-së, një turp i madh. Duka i thotë të zezës së bardhë, e konsideron më të mirin këtë arbitër, nuk shqetësohet fare për ato që ndodhin gjatë gjithë sezonit.

FEDERATA – “Duka e ka kthyer Federatën në çifligun e vet, në pronë private, në monarki, dhe nuk pranon asnjë të vërtetë. Edhe kur ia thonë, në fund thotë që nuk është ashtu dhe e mbyll me aq. Njerëzit duhet të ndërgjegjësohen, nuk duhet vazhduar kështu, me mbretin që merr votat dhe të gjithë votojnë qorrazi. Komiteti Ekzekutiv nuk ka asnjë kontrollor, vetëm Duka merr vendime për gjithçka, jep verdiktet e sezonit, flet për pastërtinë dhe rregullin e kampionatit. Duke mohuar gjithçka, thjesht e fundos futbollin dhe federatën. Nuk mund të mbrohen disa gjyqtarë, kur i sheh Shqipëria. Nuk i përgjigjet asnjë pyetjeje, ndërsa më pas thotë që e kam inat unë.

PRESIDENTËT – “Duka ka nja 20 presidentë “të blinduar”, të paguar, të cilët votojnë me sy mbyllur për të. Tani që po fundoset anija, ai kërkon të themelojë Ligën, që të mos dalë më në skenë. Më akuzon se dua të bëhem president, por nuk e kam pasur kurrë si ambicie, edhe kur më janë lutur njerëzit.

POSTI I PRESIDENTIT – “A e kam synim të bëhem president? Nuk është fare synimi im, unë e kam hallin te dëmi që më bëhet mua, familjes sime, gjithë klubeve. Edhe Tirana, që ra nga kategoria, një të shtyrë nga Duka e ka marrë.

KONFLIKTI PARTIZANI-DUKA – “Nuk ka ekzistuar, Gaz Demi e ka ftuar edhe në Rusi kur luajtëm në Europa League. Tani hidhet poshtë mundi dhe investimi i një sezoni, fshihen fondet e ardhura nga UEFA, nuk ka asnjë kontroll mbi FSHF-në, sepse shteti nuk lejohet të futë hundët, ndërsa nga brenda askush nuk kërkon hetim. Partizani ka vite që nuk merr asnjë ndihmë a fond, ndërkohë që Federata të paktën mund t’i blinte tokën a të jepte një kontribut tjetër. Vetëm këtu ka nisur kontradikta me Dukën, sepse janë miliona euro që janë fshehur. Sa për aspektin personal, normale që edhe unë kam vuajtur nga ky sezon, edhe familja ime, edhe miqtë e mi. Nuk e lakmoj fare postin e tij, kujt i intereson ai vend? Le të rrijë edhe 30 vjet të tjera, por nuk duhet të ketë shans që të vazhdojë ta qeverisë kështu futbollin shqiptar. Ju kujtoni se Liga nuk bëhet nga neglizhenca e presidentëve?”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *