Sulejman Starova e nisi sezonin e ri te Feronikeli në Kosovë, por projekti i nisur në mars të vitit të shkuar nuk shkoi mbarë dhe trajneri i njohur u largua. Në muajt e shkuar ish-trajneri i Partizanit ka qenë spektator, duke bërë rolin e opinionistit nëpër televizione, ndërsa tashmë i ka ardhur një ofertë që nuk e ka refuzuar.
Prej ditës së sotme Starova është trajneri i ri i Laçit, duke marrë vendin e Besnik Prengës. Ky i fundit është larguar pas humbjes së thellë 3-0 ndaj Tiranës në kupë, që ishte një tjetër rezultat zhgënjyes në vitin 2019. Trajneri është përshëndetur me lojtarët që të mërkurën dhe tashmë në kampin bardhezi presin ndryshime. Laçi ka pasur rënie graduale dhe gaboi edhe në merkato, duke afruar dy sulmues afrikanë që ende nuk po tregojnë ndonjë gjë.
Prenga e mori drejtimin e Laçit në dhjetor 2018, duke marrë vendin e Migen Memellit pas ndeshjes Flamurtari-Laçi 1-0. Në 8 ndeshje kampionati Prenga grumbulloi 10 pikë, ndërsa në kupë eliminoi Bylisin me përmbysje në Laç, para disfatës së rëndë ndaj Tiranës në mesjavë.
Sot Laçi ka zhvilluar një mbledhje, ndërkohë që Starova ka nisur menjëherë nga puna, për të përgatitur ndeshjen e së dielës kundër Flamurtarit. Eksperienca e tij në kampionat i ka bindur kurbinasit t’i besojnë drejtimin e skuadrës në vazhdim.