Starova habit: Para 1 korrikut nuk bënim dot afrime cilësore

0

Sulejman Starova fajëson sidomos mungesat për humbjen kundër Botevit, por arsyeja e dhënë prej trajnerit të kuq për mungesën e afrimeve cilësore është paksa anormale.

Duke folur pas ndeshjes, trajneri i Partizanit përmendi listën e lojtarëve që nuk ishin në krahasim me sezonin e shkuar, por shpjegon pse nuk u zëvendësuan: “Skuadra nuk pati mundësi që gjatë kësaj kohe të zëvendësonte emra si Ekuban, Torasa, Malota, Cetkoviç e Ramadani. Ju e dini shumë mirë se merkatoja fillon pas datës 1 korrik dhe ne nuk mundëm që të zëvendësonim mungesat e mësipërme gjatë kësaj periudhe. Me diplomaci ua thashë që do të bëjmë një paraqitje dinjitoze në Bullgari, me objektivin për t’u kualifikuar. Por në ambiciet e klubit, Partizani i kampionatit do të jetë tjetër gjë. Planet tona diheshin, që ne duhet të përballonim këtë tur në Ligën e Europës me grupin e lojtarëve që na mbeti, pasi merkatoja nis pas datës 1 korrik. Strategjia e gabuar? Unë dhashë shumë faktorë pse skuadra u duk e lodhur. Faktori numër një ishte se nuk ishte ekipi i vitit të kaluar. Faktori numër dy ishte se kundërshtari ishte i fortë dhe e bëri diferencën te pjekuria dhe ruajtja e grupit”.

Gjithsesi, Starova harron se Kotobelli e Progni u bashkuan me Partizanin në qershor dhe duke qenë se Europa League konsiderohet pjesë e sezonit të ardhshëm, gjithë lojtarët në mbyllje kontrate në 30 qershor mund të aktivizoheshin.

Starova në këtë pikë ia lë përgjegjësinë Luçiano Moxhit: “Ne jemi në një situatë që gjetëm një lojtar që nuk ka shkelur më parë në Shqipëri, i cili ka nënshkruar në Angli me Lidsin. Për kështu lojtarësh kemi nevojë. Jemi në bisedime për të sjellë një tip lojtari si ai, por edhe 2-3 sulmues të mirë, por edhe me përforcime cilësore në mesfushë dhe në mbrojtje. Këto janë objektivat tonë të merkatos. Dihet se drejtimin e klubit presidenti Demi ia ka dhënë Luçiano Moxhit, ai është edhe drejtori i përgjithshëm, ndërsa ne të tjerët jemi në shërbim të tij. Ndaj besojmë shumë te Moxhi për afrimin e lojtarëve cilësor, por është e vështirë”.

Natyrisht, kur bëhet fjalë për marrje përgjegjësish, duket se ato i mori Genc Tomori, i cili dha dorëheqjen, por Starova përballë gazetarëve preu shkurt, me ironi: “Nëse doni përgjegjës për humbjen, apo kërkoni të më bëni mua përgjegjës, atëherë përgjegjësinë po e mbaj unë për të mbrojtur ekipin. Kështu besoj jeni në rregull, përgjegjës jam unë dhe kaq”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.