Trajneri i Laçit, Sulejman Starova, po bën një punë të shkëlqyer në krye të kurbinasve. Edhe pse e mori skuadrën në një moment jo të mirë, të besuarit e tij kanë rigjetur formën dhe janë kthyer të luajnë në ritme të larta. Ndalesa e radhës është në Gjirokastër, aty ku Laçi do të përplaset me Luftëtarin, që është në luftën e mbijetesës.
Pikërisht para kësaj sfide, “Bobi” ka folur për Supersport, ku shprehet optimist për pjesën e mbetur të sezonit dhe arritjen e objektivave. Në fjalën e tij, Starova u shpreh:
“Rezultatet e di Zoti. Ne punojmë për gjërat konkrete. Na duhen pikët për të realizuar objektivat. Skuadra ka luajtur futboll. Ka edhe Juventusi të meta. Po përpiqemi t’i eliminojmë ato.
Rezultati i fundit jashtë është me Tiranën. Kishim pretendimet tona. Ishte barazim i mirë. Skuadra i ka mundësitë të luajë jashtë dhe brenda. Jashtë normal është më vështirë. Luftëtari po lufton për mbijetesë. Është fatkeqësi të bie njëra nga këto ekipe. Është një ekip që ka bërë mirë, kanë ecur edhe në Kupë.
Skuadrat në këtë kampionat futen për të fituar. Se si arrihet, ka strategji. Barazimi dhe fitorja janë pozitive. Por edhe kur humb me dinjitet, ka anën e vet pozitive. Ka humbje e humbje”, tha Starova.