Ole Guner Solskjaer, trajneri i Mançester Junajtid, ka dalë sot para mediave dhe ka folur për ndeshjen e kthimit kundër Barcelonës. “Djajtë e kuq” janë mundur 1-0 ndeshjen e parë dhe tashmë kërkojnë të përmbysin gjithçka, sikurse kanë bërë më parë me PSG-në. Tekniku norvegjez e di shumë mirë se për ta bërë këtë duhet të mos i lejojnë katalansit të mbajnë topin.
“Ajo çka kujtojmë nga ndeshja me PSG-në do na ndihmojë në Camp Nou, nuk ka kaluar shumë kohë nga ajo përballje. Duhet të krijojmë shumë shanse dhe besoj se i kemi sulmuesit e duhur për ta bërë këtë. Një javë më parë nuk ishim në gjendje të kishim zotërimin e topit. Duhet t’i imponojmë kundërshtarit stilin tonë të lojës. Nëse i lejon ata të mbajnë topin, atëherë është e sigurt që do të vuash”, u shpreh norvegjezi.
Më tej ai shtoi: “Ndeshje të veçanta vendosen nga detajet. Përballja me Barcelonën nesër është e tillë. Do kërkojmë të shënojmë shpejt për të barazuar shifrat. Kemi praktikuar finalizimin e aksioneve. Herën e fundit kemi pasur disa shanse të mira”.
Nga Camp Nou Solskjaer ka kujtime të bukura, pasi ka fituar Champions League si lojtar me Mançesterin: “Është një kujtim fantastik për mua ajo finale e vitit 1999. Nuk e kthej shpesh mendjen pas tek ajo natë. Po mendoj për ndeshjen e nesërme dhe për një paraqitje të mirë. Kjo është puna ime tani”.
“Pogba dhe Sançez? Është shumë mirë fizikisht, preokupohemi vetëm për paraqitjen e tij në fushën e blertë. Për Aleksis është një natë e madhe. Kur ai është në fushë jam i sigurt që ai do të tregojë cilësitë e tij. Deri tani nuk ka pasur një sezon fantastik, por le të shpresojmë që ai mund ta mbyllë sezonin në mënyrën më të mirë për ne”, deklaron kreu i pankinës së Junajtid.