Shumë pikëpyetje mbi të ardhmen e klubit Skënderbeu. Dënimi i dhënë nga UEFA, që përjashton korçarët për 10 vite nga kupat e Europës, si dhe i detyron ata të shlyejnë një gjobë në vlerën e 1 milion eurove, është shumë i rëndë dhe në Korçë janë shprehur prej kohësh që e kanë apeluar në CAS.
Por Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë ka hedhur poshtë gjithçka, kur së fundmi gazetari i News 24 dhe Gazeta Shqiptare, Jeton Selimi, ka pasur një komunikim me CAS-in. “U bë një kohë e gjatë që po merremi me këtë çështje. Normalisht në Shqipëri ka një konfuzion në lidhje me datën e procesit gjyqësor në CAS midis Skënderbeut dhe UEFA-s, pasi nuk ka akoma një datë fikse për këtë proces. Në listën tuaj të proceseve nuk figuron asgjë, ndërkohë që aludohet se ky gjyq do të zhvillohet në muajin dhjetor. Do ju lutesha që të më jepnit një informacion të saktë në lidhje me këtë situatë”, shkruan Selimi.
Përgjigja e dhënë nga Katy Hogg, oficerja e komunikimit pranë CAS, ka zbuluar një fakt shumë të rëndësishëm dhe që hedh poshtë ato që kanë shprehur në klubin korçar se e kanw apeluar vendimin e UEFA-s.
“Faleminderit për mesazhin tuaj dhe interesin për aktivitetet e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv. Duke parë të dhënat tona, nuk na shfaqet të kemi marrë ndonjë apelim sa i përket çështjes që ju përshkruani më poshtë”, shkruan Hogg.