Enis Gavazaj u transferuar në verë te skuadra ruse e Jenisej Krasnojarsk dhe gjërat atje nuk është se kanë shkuar mirë. Pavarësisht se e kishte kërkuar vetë trajneri, hapësirat për anësorin e majtë të kombëtares munguan.
Tashmë ai me shumë mundësi do të kthehet te Skënderbeu, sigurisht nëse mes palëve do të ketë një marrëveshje. Gavazaj u huazua me të drejtë blerje (thuhet për rreth 600 mijë euro) te Jenisej Krasnojarsk dhe vetë drejtori sportiv Denis Rubtsov ka deklaruar se anësori i majtë mund të kthehet tek ish-ekipi i tij.
Në një intervistë të gjatë për “gornovosti.ru” që më 25 dhjetor, ai e ka paralajmëruar diçka të tillë. I pyetur për Gavazajn, si u bindën dhe kush e gjeti si lojtar, ai tregon se ka qenë trajneri që e ka sugjeruar.
“Gavazaj u rekomandua pikërisht nga trajneri. Ai ishte në huazim dhe ka shumë gjasa që tani të shkojë në klubin e tij të mëparshëm”, është shprehur Rubtsov. Nga Jenisej Krasnojarsk nuk do të jetë vetëm futbollisti nga Prizreni që do të largohet, por edhe të tjerë. Gavazaj është aktivizuar në kampionat vetëm në shtatë ndeshje, dy prej të cilave i ka nisur nga minuta e parë.