Skënderbeu kthen Sebino Plakun, vjen edhe një talent

0

Nuk ka ikur nga Skënderbeu! Sebino Plaku mbetet “korçar”. Në mënyrë të papritur dje ka mbërritur në Slloveni, sulmuesi Sebino Plaku. Disa ditë më parë drejtuesit e klubit bënë të të ditur se në listën e largimeve ishte edhe Plaku, lojtar që e kishte mbyllur kontratën me Skënderbeun dhe detyrimisht mund të quhej i larguar. Por gjithçka u përmbys pas disa ditësh. Sebino gjatë kësaj periudhe qëndroi në kryeqytet dhe ndoshta ishte duke kërkuar skuadër të re. Por, duke parë mungesën e qoftë edhe një sulmuesi në Slloveni, drejtuesit e klubit juglindor mësohet se përpara dy ditësh kanë kontaktuar Sebinon dhe i kanë kërkuar lojtarit që të vazhdojë të vishet bardhekuq të paktën edhe për ndeshjet e Europa League. Kjo tregon se Skënderbeu ka vijuar bashkëpunimin me Plakun edhe për këto ndeshje të muajve të verës, ndërkohë që në startin e sezonit të ri është e sigurtë që nuk do të jetë më pjesë e Skënderbeut. Plaku e ka pranuar ofertën e bërë nga korçarët dhe ditën e djeshme jo vetëm që ka udhëtuar për të mbërritur në Slloveni, por ka zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore me Skënderbeun. Në këtë mënyrë, Daja kthen një sulmues të larguar dhe kjo vjen si pasojë e mungesës së afrimeve të deritanishme në repartin e sulmit. Repart që është thuajse bosh dhe që ka nevojë për një ndërhyrje emergjente.

Hasa
Me ekipin korçar në Slloveni dje është stërvitur edhe Gehard Hasa. Ky emër ka qenë risia e ditës së djeshme te Skënderbeu, pasi më parë nuk flitej për një lojtar të tillë. Drejtuesit e klubit bardhekuq dje janë kontaktuar nga ana e gazetës për të mësuar mbi këtë lojtar dhe atë se përse është pjesë e Skënderbeut. Mësohet se Hasa është tashmë pjesë e Skënderbeut për të ardhmen dhe shikohet si një lojtar i talentuar dhe kjo ka bërë që Daja ta afrojë në skuadër. Kujtojmë që Gehard Hasa është 20-vjeç dhe në kampionatin e fundit ka luajtur me Tiranën B në grupin A të kategorisë së dytë. Futbollisti së pari mund të cilësohet në provë, por që dje në testet që ka zhvilluar Daja ka dhënë rezultate të mira dhe me shumë mundësi ai do të qëndrojë për të qenë për të ardhmen. Por Hasa më parë ka qenë edhe pjesë e akademisë AF Dinamo, akademi që është krijuar nga trajneri Ilir Daja. Kjo ka bërë që trajneri kryeqytetas i Skënderbeut për njohjen e mirë që ka për këtë futbollist e ka thërritur menjëherë dhe nga dje Gehard Hasa është nën urdhrat e Dajës në Slloveni. Talente të tillë Skënderbeu afron çdo vit, duke firmosur edhe kontrata afatgjata me ta dhe në fillim të sezonit zakonisht i huazon. Një gjë e tillë nuk dihet nëse do të ndodhë edhe me Gehard Hasa, lojtar që shikohet vërtet si futbollisti i perspektivës.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.