Marko Radas do të jetë gati për Skënderbeun në takimin e radhës me Luftëtarin. Qendërmbrojtësi kroat, i cili në tetor mbushi 35 vjeç, mban shiritin e kapitenit te korçarët. Përgjegjësia për këtë është e madhe dhe ai në çdo takim mundohet të japë më të mirën e tij.
Për Radas ky është sezoni i tetë me Skënderbeun dhe ajo çka bie në sy është numri i madh i kartonëve të verdhë. Deri më tani ka marrë plot 8 të tillë dhe nëse shikon sezonet e shkuara me fanellën bardhëkuqe, më së shumti ka marrë nëntë të verdhë.
Por ai i ka akumuluar ato në një sezon të plotë. Në sezonin e tij të parë, 2011/12, në 24 ndeshje mori nëntë të verdhë, kurse dy vite më parë i mori në 28 takime. Këtë kampionat Radas i ka marrë tetë të verdhë në 13 ndeshje.
Një shifër që tregon disi edhe rënien e mbrojtësit, i cili kërkon t’i zgjidhë situatat me zgjuarsi. Po të kthehesh pas në kohë, pjesën më të madhe të kartonëve Radas i ka marrë duke shkaktuar faulle taktikë, për shkak se ka qenë në kohë vonesë. Në ndonjë rast i është dashur të ndalë edhe ndonjë top me dorë.
Me siguri deri në fund të sezonit ai do ta thyejë rekordin e kartonëve të verdhë me fanellën e Skënderbeut. Edhe një i duhet për ta barazuar…