Orges Shehi, trajneri i Skënderbeut, ka folur para ndeshjes me Tiranën në “RTSH Sport” dhe fillimisht ka komentuar situatën në skuadrën e tij. “Realisht jam shumë i kënaqur, pasi skuadra ka grintë, dëshirë, është kokulur. Njerëzit punëtorë dhe pa llafe mua më pëlqejnë”, është shprehur fillimisht trajneri durrsak.
Shehi më pas jep “recetën” për ndeshjen e radhës me Tiranën: “Futbolli është i tillë që javë pas jave del në provim. Provim do t’i thosha ndeshjes së kësaj jave me Tiranën. Vijmë pas një ndeshjeje të mirë, vijmë pas një rezultati të mirë. Na mbetet si detyrë të jemi me këmbë në tokë dhe të mos ulim ritmin e shpirtin e garës”.
Trajneri i Skënderbeut është i qartë kur pyetet në fund në lidhje me objektivat e klubit korçar: “Jemi pjesë e një klubi që ka bërë histori, duke marrë 11 trofe në 8 vite. Kështu që objektivat tona si klub janë të qarta, por unë i mëshoj faktet se duhet të luajmë çdo ndeshje sikur të ishte e fundit, duhet të luajmë me përqendrim e dëshirë”.
Për ndeshjen me Tiranën Skënderbeu nuk do të ketë të gatshëm mesfushorin Bruno Dita, i cili pësoi një dëmtim në ndeshjen e fundit me Flamurtarin dhe nuk është rikuperuar ende. Gjithashtu mungojnë edhe të rinjtë Uendi Mara dhe Zenel Gavazaj.