Ata që mendojnë se Skënderbeu i këtij sezoni do të jetë një kundërshtar i lehtë, ndoshta duhet të mendohen edhe një herë. E vërtetë: Korçarët janë shumë ndryshe nga sezoni i kaluar, kur e dominuan futbollin shqiptar në të gjitha drejtimet, duke fituar titullin kampion dhe Kupën. Disa lojtarë u shitën, të tjerë u larguan dhe te bardhekuqtë ka nisur një cikël i ri.
Megjithatë kualiteti nuk mungon. Nga Bregu te Radas, Vangjeli, Muzaka, Vila e Dita, por edhe Nimaga, Krasniqi, Lulaj e Aliti. Te Skënderbeu janë përqendruar edhe te afrimi i shumë emrave të rinj, për të vijuar rritjen e talenteve, të cilët më pas do të shiten në liga të tjera europiane.
Në këtë kuadër, në Korçë kanë hedhur grepat edhe te një prej yjeve të përfaqësueses Shpresa, Ardit Krymi. Mesfushori është një element mjaft cilësor dhe qëndrimi te Vllaznia, në Kategorinë e Parë, do të ishte një hap mbrapa në karrierë. “Super Sport” njofton se kampionët në fuqi kërkojnë të fitojnë garën me Tiranën dhe Partizanin, dy skuadra të tjera që kanë shfaqur interes për 21-vjeçarin.
Problem për Krymin mbetet situata te Vllaznia. Klubi ende nuk ka përcaktuar trajnerin dhe drejtorin e ri sportiv dhe është ende e pamundur që të flitet se ku do të bazohet projekti i ringritjes. Kjo bën që Skënderbeu të ketë pak opsione për të arritur te mesfushori. Blerja e plotë e kartonit nga shkodranët, ose që Vllaznisë t’i lihet Vllaznisë një përqindje të kartonit të Krymit, që kuqeblutë të përfitojnë në rast të shitjes së lojtarit në të ardhmen.