Atmosfera te Mançester Junajtid ka ndryshuar krejtësisht me ardhjen e Ole Guan Solskjaer në krye të bankinës së “djajve të kuq”. Shtatë fitore radhazi, gjashtë prej të cilave në kampionat, kanë bërë që klubi anglez të aspirojë sërish për objektiva madhorë, ashtu siç ka bërë për dekada me radhë.
Merkato e janarit nuk duket se do të ketë prurje të reja për skuadrën e Solskjaer, por lajmet e mira nuk mungojnë. Sipas medies franceze “TF1”, drejtuesit e klubit kanë arritur akordin për rinovimin e kontratës së sulmuesit francez Antoni Marsial.
Kontrata aktuale e 23-vjeçarit skadon në fund të këtij sezoni (Junajtid mund ta zgjasë edhe për një vit më shumë), dhe ofertat nga klubet e tjera kanë qenë të shumta, por siç duket largimi i Murinjos ka qenë e vetmja gjë që ndalonte rinovimin midis francezit dhe klubit.
Nuk duhet harruar se Marsial dhe Murinjo kanë pasur një raport shumë të keq me njeri-tjetrin, që kulminoi, kur Murinjo e kritikoi në publik për mungesën në stërvitje, pasi ky i fundit mori disa ditë pushim për të qëndruar pranë partneres së tij, që kaloi një lindje me shumë komplikacione.