Situata te Tirana, Grent Halili dhe Valdet Rama: skaneri i Ardian Memës

“Ishte një ndeshje shumë e ekuilibruar, pësuam që në fillim dhe kjo na dëmtoi disi. Mund të shkonte ndryshe, por ekipi reagoi. Kjo më pëlqeu. Patëm disi probleme në pjesën e dytë, pasi kishim lojtarë të dëmtuar në fushë. Nuk i zëvendësoja dot për shkak se nuk e kisha mundësinë. Po ta shikosh si pjesë të dytë, më shumë u mbrojtëm. Megjithatë ekipi nuk pësoi gol dhe ishim goxha në ekuilibër”, kështu u shpreh fillimisht Ardian Mema para mediave, ndërkohë që pranoi se kishte menduar që në fraksionin e dytë të lojës t’i prisnin durrsakët. Analizë e ndeshjes, ndalim tek elementë të veçantë, merkato dhe Valdet Rama. Mema nuk kursehet në deklaratën e dhënë për mediat pas ndeshjes me Teutën.

“Tërheqja në fushë, orientim i imi? Ua kam thënë disi në dhomat e zhveshjes. Duhet t’i prisnim në mesfushë, sepse mund të shfrytëzonim cilësitë e Grecës apo të Kobinës që futa nga krahu i djathtë. Është gjithmonë parashikim dhe jo çdo gjë të del. Kështu është futbolli. Gjithsesi do ndaloj te kjo pjesë në analizat me lojtarët, pasi ra disi ekipi. Kjo vjen edhe nga lodhja, kemi bërë disa ndeshje për 10 ditë”, shtoi tekniku i bardhebluve.

Mungesat në ndeshjen me Teutën ishin disa. Kërçiku, Hasani dhe Turtulli nuk ishin dhe normalisht vështirësitë për Memën në zgjedhje ishin jo të vogla. “Punët po na shkonin mirë, ekipi po shprehej. Kur ka një dëmtim, ‘OK’, themi që edhe mund ta riparojmë. Kur kemi 2 ose 3 bëhet pak e sikletshme”, tha Mema.

“Jeni larguar nga zona e ftohtë? Këtë nuk mund ta them. Jemi në momente të mira, edhe pse barazuam me Teutën. Ata janë ekip i fortë dhe më këto ekipe nuk duhet të humbësh, pasi pëson shok. Për më tepër që po kalon momente të mira. Nuk është se më pëlqen barazimi në mentalitetin tim. Për mënyrën se si erdhi loja edhe mund të kënaqemi, pasi ekipi nuk mundet. Kjo është shumë e rëndësishme. Mendoj që të jep garanci për të ardhmen”.

Vlerësime për Majkëll Ngo, i cili arriti të shënojë sërish: “Ngo ka kohë që vepron si duhet të veprojë një sulmues pykë. Është një lojtar që e tërheq shumë ekipin sipër. Unë jam shumë i kënaqur, ai lufton, është një pikë e fortë e ekipit”.

“Ju pëlqeu Kobina? Nuk është pjesë e analizës kjo intervistë, nuk mund të flas për emra. Lojtarët unë i mbroj në media, brenda grupit them gjithçka ashtu si unë e lexoj. Nëse nuk do jem i drejtpërdrejtë me futbollistët, atëherë ky do të jetë problemi im pastaj”.

GRENT HALILI – “Ka pasur polemika brenda skuadrës. Nuk kanë qenë të gatshëm ta kuptojnë se Grenti do luante. I shikoj lojtarët në stërvitje dhe e kuptoj kur një futbollist është gati të luajë”, shprehej Mema pas derbit me Partizanin, ndërkohë që Halili në takimin me Teutën asistoi në golin e Ngo.

Duke i kujtuar deklaratën e atëhershme dhe paraqitjet në vazhdimësi të sulmuesit anësor, Mema tha: “Grent Halili ka kohë që luan dhe është bërë pjesë e rëndësishme e ekipit. Pretendoj te Grenti që të rritet fizikisht. Ka pasur ndeshje që e kemi ndërruar shpejt, pasi lodhet prej faktit që vrapon dhe punon shumë për skuadrën. Është pjesë e rëndësishme e ekipit”.

GOLAT E TAKIMIT – “A ishte një gol i falur ai ndaj Teutës? Nuk mund ta them, është një moment i shpejtë, një lëvizje prerëse e sulmuesit të Teutës. Lëvizje shumë e shpejtë, ndoshta edhe pësohet ai gol. Edhe kjo do të jetë pjesë e analizës. Mendoj se duhet të kishim bërë një mbyllje, konkretisht qendra e djathtë dhe mbrojtësi i djathtë i joni. Pati një hezitimi në atë moment? Pikërisht, kjo ishte”.

“A duhet t’i gëzohem faktit që edhe kundërshtari hezitoi te goli i shënuar? (Qesh) Golin e shënuar nuk e pashë, pasi isha disi larg. Po shpresoja që të shënonim në atë rast. Një trajner kënaqet kur sheh topin në rrjetë dhe pastaj nisin disi ndryshe gjërat. Kishim pësuar dhe 1-1 ishte rezultat që e hapte ndeshjen. Kishim 1 ose 2 mundësi ta godisnim Teutën, por që disi të vakëta ishin rastet”.

“Problemi me pasin e fundit? Kjo është pjesë e punës tonë. I analizojmë lojtarët për punën që bëjnë. Është një moment që Greca duhet të kishte shërbyer, por sërish kjo është lojë dhe ka presion. Lojtarët kanë stres dhe në momente të caktuara ndoshta edhe nuk japin atë pasin e fundit”.

VALDET RAMA – “Merkato, vetëm një afrim i bërë? Mendoj se ky grup lojtarësh nuk është se luan keq. Them se niveli është rritur disi, kam shpresuar që të merrnim një ose dy lojtarë dhe ua kam bërë me dije. Gjithsesi nuk u realizua diçka e tillë. E kam thënë shpesh herë, që nuk mund të marr lojtarë që nuk bëjnë diferencën me grupin që kemi. Mendoj ta kalojmë kampionatin me grupin aktual”.

Para takimit me Teutën, Mema u shpreh se nuk do ta merrte në skuadër një lojtar që nuk luan prej një viti. Gjithkujt i ka shkuar mendja te Valdet Rama, i cili u prezantua te Kukësi në ditën e fundit të merkato. Ka pasur zëra se sulmuesi anësor i është propozuar edhe bardhebluve, por trajneri i Tiranës nuk e pranon diçka të tillë.

“Nuk e di këtë rast, nëse është diskutuar në vend tjetër kemi të bëjmë me thashetheme. Është hera e parë që e dëgjoj. Unë e di kush është Valdet Rama, pasi është lojtar i ekipi kombëtar. Gjithsesi nuk është diskutuar”.

VLADIMIR PRENGA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *