Situata me Mesut Ozil, Emeri kundër të gjithë kritikëve

Ozil është kthyer në një çështje pas polemikave dhe tërheqjes së tij nga kombëtarja gjermane. Të gjithë kanë shprehur mendimin e tyre, shumë e kanë sulmuar lojtarin e Arsenal me prejardhje turke, por ka dhe nga ata që i kanë dalë në krah. I fundit është tekniku spanjoll i topçinjve, Unai Emeri.

Në një konferencë për shtyp nga Singapori, aty ku Arsenali vazhdon përgatitjet për sezonit e ri, Emeri flet për situatën e krijuar dhe mesfushorin e tij. Akoma nuk ka folur nga afër me Ozil, por trajneri është i lumtur me rikthimin e lojtarit, mbështet vendimin e tij dhe ka një përgjigje dhe për Uli Hënës, i cili ishte ndër më të ashprit ndaj Ozil.

“Ne jemi si një familje dhe të gjithë duam ta ndihmojmë Mesutin. Ai duhet të ndihet si në shtëpinë e tij dhe gëzon respektin e të gjithë shokëve. Akoma nuk kam biseduar me të, pasi u bashkua të dielën me ne. Dua t’i jap kohën e mjaftueshme për të lënë pas gjithçka ndodhi. Jam i lumtur që e kam në ekip dhe e rëndësishme është që lojtari të ndihet mirë.”

“Ai mori një vendim personal për t’u larguar nga kombëtarja gjermane dhe e respektoj vendimin e tij. Ozil ka eksperiencë dhe një mentalitet të fortë dhe në do mundohemi ta bëjmë të ndihet mirë dhe të tregojë kualitetin që zotëron. Jam i sigurt që ai do të zhvillojë një sezon të madh me ne.”

Në fund dy fjalë dhe për presidentin e Bajernit, Uli Hënës. “Respektoj mendimin e çdokujt, por ne jemi profesionistë dhe duhet të kuptojmë çdokënd. Bota e futbollit është e mbushur me opinione dhe kritika, por ne kemi mentalitetin dhe kualitetin për të vazhduar punën, pavarësisht kritikave”, mbyll tekniku spanjoll i Arsenalit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *