“Lufta” e hapur mes Zhoze Murinjos dhe Pol Pogba vazhdon, por gjithçka po shkon në favor të lojtarit francez. Mbas ndeshjes miqësore Gjermani-Francë, e zhvilluar në “Allianz Arena”, mesfushori 25-vjeçar dha një prononcim të shkurtër për gazetarët ku deklaroi: ”Thashethemet janë thashetheme, por nuk jam unë ai që po flet”.
Pogba kishte dhënë dhe një prononcim 24 orë më parë ku komentonte situatën e tij te klubi anglez. “Unë po luaj me Junajtid për momentin, por askush nuk e di se çfarë do të ndodhe në të ardhmen.”
Trajneri dhe shokët e skuadrës po e prisnin në autobus, ndërsa Pogba po vonohej në dhomat e zhveshjes. Kjo gjë solli dhe acarimin e një prej oficerëve të medias franceze, i cili po i kërkonte të nxitonte, sepse të gjithë po e prisnin.
Megjithatë, mesfushori doli i qetë nga dhomat e zhveshjes, sikur nuk kishte ndodhur asgjë, harxhoi dhe disa minuta duke folur me gazetarët dhe u nis drejt autobusit të kombëtares, që kishte më shumë se gjysmë ore që po e priste.
Pavarësisht aftësisë së Murinjos për të luajtur me mediat si askush tjetër, mesfushori francez është plotësisht i vetëdijshëm që ai është një aset i klubit, në kulmin e karrierës së tij dhe ka një avantazh krahasuar me situatën e trajnerit portugez.
Ky i fundit deklaronte në fillim të sezonit që: “Unë jam trajneri i skuadrës dhe jo më menaxheri i saj.” Pothuajse e vërtetë, sepse portugezi do të shiste Antoni Marsial, nëse do të kishte akoma kompetencat e menaxherit, por klubi vendosi ta mbajë në ekip dhe t’i propozojë rinovimin e kontratës.
Duke u rikthyer te Pogba, mesfushori është i zgjuar dhe e ka kuptuar rëndësinë dhe rolin e tij te Mançester Junajtid. Fitimi i Kupës së Botës i ka sjellë një popullaritet të madh dhe ai njihet sot në të gjithë botën.
“SportsPro 50” publikoi javën e kaluar listën e atletët më të reklamueshëm dhe Pogba kryesonte përpara emrave si: Kilian Mbape, Antoni Xhoshua (boksier) dhe Step Kerri (basketbollist), duke dhënë një sinjal të fuqisë së tij në klub dhe tentativës së dështuar të Murinjos për të luftuar një betejë, pothuajse të humbur.
Francezi kërkohet nga klube si Barcelona, Juventus dhe Real Madrid, por drejtuesit e Junajtid nuk dëshirojnë të heqin dorë nga shërbimet e tij, për faktin që trajneri i skuadrës nuk arrin të marrë maksimumin prej tij gjatë 90-minutëshit të ndeshjeve.
Pavarësisht antipatisë që ka krijuar te një pjesë e tifozëve të Junajtid, Pogba mbetet thelbësor për klubin për shkak të komercialitetit të tij. Në një kohë kur marka shet dhe sjell fitime.
Megjithatë, Pogba dhe menaxheri i tij, Mino Rajola, mund të kenë qëllime të tjera. Ata duan rritjen e rrogës së lojtarit me një shumë më të lartë se ajo e Sançez. Sulmuesi kilian përfiton 400 mijë paund në javë dhe është më i paguari në ekip, edhe pse nuk po e justifikon rrogën e tij të “çmendur”.
Murinjo e ka kuptuar situatën e tij dhe tashmë i është rikthyer pragmatizmit të tij klasik për të ecur përpara. Pozitat e tij janë lëkundur dhe ai e nuhat humbjen e betejës së egos me mesfushorin e tij.
Trajneri vazhdon të jetë i acaruar me francezin, por ai është i pafuqishëm për momentin, kur vjen fjala për t’u marrë me Pol Pogba.