Luis Suarez po kalon një moment fantastik. Tre gola kundër Realit në fitoren e thellë 5-1, por sulmuesi i Barcelonës qëndron me këmbë në tokë. Në një prononcim për “Radio Uruguay Sport 890”, ai flet për të ardhmen e tij dhe faktin që Barcelona duhet të fillojë të kërkojë një tjetër bomber. Më të ri se Suarez, i cili ka nevojë të pushojë ndonjëherë dhe nuk është më i ri.
“Jam 31 vjeç dhe klubi duhet të mendojë për të ardhmen. Besoj se është normale të mendosh të blesh një sulmues të ri, një numër 9 të ri. Në moshën që jam, nuk mendoj për atë që thonë për mua. Jam shumë kritik ndaj vetës time. Kur më thonin që isha shëndoshur dhe jashtë forme, e dija se ishte një gjë normale. Sapo isha kthyer nga Botërori dhe nuk isha stërvitur maksimalisht. Kjo gjë është pjesë e punës tonë, por duhet të qëndrojmë të përqendruar.”
Sulmuesi uruguaian i rikthehet dhe njëherë klasikes kundër Realit të Madridit dhe fitore së thellë 5-1. Suarez shënoi një tripletë dhe e shijoi këtë gjë në maksimum, por ai shfaqet një lider i vërtetë, duke insistuar që puna dhe ndihma për ekipin është më e rëndësishme sesa shënimi i golit.
“Në ndeshjen e fundit i shënova 3 gola Realit, por u ndjeva rehat, sepse po ndihmoja ekipin. Isha i qetë dhe i lumtur. Je i qetë, kur e di se po bën më të mirën për ekipin. Kështu që, të shënosh ose jo, nuk është një problem. Gjithmonë duhet të bashkëjetosh me kritikat dhe kur të bëjnë komplimente, nuk duhet të mendosh se je më i miri.”