Diego Simeone u shfaq kryelartë në intervistën pas ndeshjes me Barcelonën. Në lidhje me largimin e Diego Kostës, pas ofendimit ndaj gjyqtarit, u shpreh se nëse është e vërtetë, Manzano ka vepruar drejtë. Megjithatë lëshoi kritika për gjykimin, duke bërë një krahasim me raste të tjera që ka pasur sharje të tilla dhe nuk janë dënuar. Trajneri i Atletikos nuk e bën dramë këtë sezon, ku thotë se kanë bërë maksimumin në La Liga dhe kanë fituar Superkupën e Evropës.
KARTONI I KUQ – “Në 11 ndeshjet e fundit këtu kemi marrë shtatë kartonë të kuq. E pyeta gjyqtarin dhe më tha diçka, që Kosta e mohon. Nëse versioni i gjyqtarit është i vërtetë, ai ka vepruar mirë. Në La Liga ka pasur shembuj të tjerë në të kaluarën si ky i sotmi, që nuk janë dënuar dhe këtë nuk e shoh të drejtë. Gjithsesi kjo nuk e justifikon Diegon”.
DËSHTIM I SEZONIT?– “Sezoni ynë kurrsesi nuk ka përfunduar. Do mundohemi të fitojmë sa më shumë pikë në ndeshjet e mbetura. Ju duket negative që jemi në vendin e dytë dhe se kemi fituar Superkupën e Evropës?”.
REAGIMI PAS KARTONIT– “Nuk mund të them se kemi humbur vetëm prej largimit të Kostës. Ne donim që të mos e izolonim Grizmanin. Ekipi, edhe pse me një lojtar më pak, e bëri këtë. U shpërndanë mirë në fushë. Reaguan mirë. Mbajtja e topit nuk ka rëndësi, golat po.”
KONKLUZIONET E FUND-SEZONIT– “Këtë sezon kemi fituar disa lojtarë si Gimenez, Tomas apo Rodri. Ata janë përmirësuar shumë. E dimë që nuk jemi në një situatë komode, por e gjitha kjo do të na bëjë më të fortë”.