Për të gjetur një lojtar i cili nga ekipet zinxhir të Bajernit të Mynihut arriti të debutonte edhe me skuadrën e parë të kampionëve të Gjermanisë dhe 5 herë fituesve të Champions League, duhet të kthehemi pas në vitin 2009. I fundit që e realizoi këtë, përpara afro një dekade, ishte Tomas Myler. Përpara tij, nga produktet e suksesshme të Akademisë së bavarezëve ishin David Alaba dhe Sandro Vagner.
Prej atij momenti, ka qenë shumë e vështirë që në skuadrën e Bajernit të arrinin të promovoheshin të rinjtë e rritur në klub. Situata ka ndryshuar në muajt e fundit, me bavarezët që kanë rinisur të “prodhojnë” yje të rinj, ku më i fundit është Meritan Shabani.
Mund të jetë një rastësi e futbollit, që jo çdo vit të dhuron kampionë të rinj, të gatshëm për të luajtur në nivele shumë të larta. Ndoshta mund të jetë faji i politikave të klubit, të cilat kanë ndryshuar, për t’u përshtatur me ato të gjigandëve të tjerë të Europës. Por, kur talentët zbulohen, është e vështirë që kualiteti i tyre të kalojë pa u vënë re.
Aq më tepër, në rastet kur në stol ke fatin të ndodhet një “ujk i vjetër” si Jup Hejnkes. Trajneri tashmë i dalë në pension, ishte njeriu që më 28 prillin e kaluar i dhuroi Shabanit debutimin në Bundesligën gjermane. Aktualisht është vetëm 19 vjeç, ndërsa në fushë luan si mesfushor me tipare ofensive. Interi ëndërron t’ia rrëmbejë gjermanëve dhe lufta do të jetë mjaft e fortë.
Në Gjermani e kanë pagëzuar “Shvajnshtajgeri i ri”, sepse përveç cilësive teknike, vlera e tij e shtuar është se mund të luajë edhe si sulmues i dytë, ose si organizator në qendër të mesfushës, ashtu si shpesh ka ndodhur të aktivizohet në përfaqësueset e moshave të Gjermanisë. 185 centimetra forcë fizike, elegancë me topin dhe vizion loje. Cilësi të cilat Shqipëria dhe Kosova ëndërronin ti kishin në dispozicion.
Vetëm një muaj më parë, stafi i Kombëtares kuqezi kishte shumë shpresa te afrimi i lojtarit. Mes të interesuarve direkt ishte edhe trajneri Kristian Panuçi. Prindërit e talentit janë shqiptarë të Kosovës, por Meritani ka lindur në Mynih. Deri më tani, Shabani ka luajtur vetëm një ndeshje me përfaqësuesen e 20-vjeçarëve të Gjermanisë.
Vetëm pak javë më parë, trajneri i Shpresave të Shqipërisë, Alban Bushi deklaronte se talenti i Bajernit është gati ti përgjigjet thirrjes së gjakut. Të gjithë mendonin se ftesa do të pranohej, por një muaj më parë, lojtari publikoi një fotografi me përfaqësuesen e moshave të “pancerave”. Meritan Shabani ka ende shanse të bëjë zgjedhjen e tij, për të luajtur me Shqipërinë. Tashmë ka ardhur momenti i zgjedhjes, e cila nuk pritet të jetë aspak e lehtë.