Tirana ka nisur përgatitjet dhe në seancën e sotme stërvitore grupi i lojtarëve ishte i reduktuar. Nga sa kuptohet, tre janë largimet e sigurta. Portieri Shpëtim Moçka, mbrojtësi Sedat Berisha dhe sulmuesi Dejan Blazhevski nuk ishin nën urdhrat e trajneri Ardian Mema. Të tre këta futbollistë me shumë mundësi do ta vazhdojnë karrierën në të tjera ekipe.
ILION LIKA – Portieri nuk është aktivizuar në ndeshjet e fundit, ndërkohë që sot nuk ka dalë në stërvitje. Nuk dihet arsyeja, por nuk përjashtohet mundësia që edhe ta mbyllë me Tiranën. Gjithsesi duhet pritur qëndrimi i klubit për të mësuar më shumë mbi arsyen e mungesës së “gardianit”.
TË HUAJT – Asnjë prej lojtarëve të huaj nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme stërvitore. Lojtarët afrikanë ndodhen në vendlindjet e tyre dhe trajneri Mema i pret sa më shpejt në stërvitje, pasi edhe kampionati nis shpejt. Mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndonjë “firo” rrugës, por më parë drejtuesit duhet të bëjnë ndonjë afrim para se të heqin lojtarë. Dëmtimet këtë sezon i kanë penalizuar bardheblutë, ndaj edhe duhet një grup sa më i plotë me lojtarë.
LOJTARËT QË DOLËN SOT NË STËRVITJE
Alesio Abibi, Dorian Kërçiku, Albi Doka, Erjon Hoxhallari, Eni Imami, Marsel Ismailgeci, Klisman Cake, Marvin Turtulli, Gentian Muça, Edon Hasani, Asion Daja, Erando Karabeci, Jurgen Çelhaka, Ernest Muçi, Grent Halili, Andri Stafa, Roi Dingu
FLORIAN ALLA