Në Korçë ndodhi gjithçka: ndeshja e parë pa polici dështoi, por jo Skënderbeu, që triumfoi në shtesë falë një goli të shënuar me penallti nga Gjergji Muzaka. Dejvi Bregu ishte protagonist, duke e fituar 11-metërshin, ndërkohë që skenën më të madhe e morën tifozët.
Rreth minutës së 70-të pati gurë të hedhur në drejtim të tribunave dhe më pas tifozëve që zbarkuan në fushë. Ambulancat pranë tribunave duke dhënë ndihmë mjekësore dhe nuk kuptoje dot nëse luhej futboll, apo ishte një fushë-betejë.
Sa i takon ndeshjes, ajo ishte shumë e luftuar, me duele të shumta, ndërhyrje të gabuara e kartonë të verdhë. Gjithçka burrërore duhet thënë. Muzaka e Mala kishin mundësitë më të mira për të shënuar gola në aksion, por nuk ia dolën. Në fund vendosi penalltia e fituar nga Bregu dhe Gjergji nuk mund të gabonte. Tre pikë për Skënderbeun, që e nis kampionatin mbarë.
Kategoria Superiore – Java 1
E premte, më 17 gusht 2018, ora 19:45
Stadiumi “Skënderbeu”, Korçë
SKËNDERBEU-PARTIZANI 1-0
Shënues: Muzaka 92′ (pen.)
Skënderbeu (4-3-3): Teqja – Vangjeli, Radas, Aliti, Abazi – Dita, Muzaka, Demte – Gripshi (Ajzeraj 73′), Bregu, Krasniqi (Oto Xhon 88′). Trajner: Orges Shehi. (Në dispozicion: Dajsinani, Kaba Sambou, Gavazaj, Pëllumbi, Lulaj).
Partizani (4-1-4-1): Hoxha – Ibrahimi, Belica, Atanda, Trashi – Telushi – Asani (Mensah 55′), Hila, Mala, Progni (Bardhi 55′) – Hebaj. Trajner: Skënder Gega. (Në dispozicion: Xhika, Gojkoviç, Kalari, Kodra)
Gjyqtarë: Eldorjan Hamiti, Paulin Simoni, Egin Doda, Nertil Bregasi; Pas porte: Olsi Sokoli, Orlando Kuka
Delegat: Lysien Nurishmi (Delegat) Vëzhgues: Sazan Velçani
Karton i verdhë: Radas 39′, Bregu 40′, Ajzeraj 83′ / Progni 20′, Asani 40′, Atanda 79′, Hila 85′
PJESA E PARË – Nis ndeshja, stadium i mbushur dhe ritëm i mirë . Gjithçka është e barabartë në pesë minutat e para dhe jo vetëm. Skuadrat nuk ndërmarrin aventura, por kërkojnë gradualisht të përparojnë në sulm. Në të 15′ ishte Radas që provoi me një goditje dënimi, por ishte i pasaktë me gjuajtjen e tij.
Një ndeshje me duele të forta. Kanë kaluar më shumë se 25 minuta dhe nuk ka shanse shënimi. Skuadrat janë ende në kërkim të golit. Minuta e 28-të e takimit solli rastin më të mirë për shënim, pas një vertikalizimi që gjeti Muzakën në zonë me portierin Alban Hoxha. Dalja e kapitenit neutralizoi golin e parë të takimit.
Kanë kaluar 35 minuta dhe ndeshja ende nuk është zhbllokuar. Lorenc Trashi në minutën e 40-të provoi me një goditje dënimi, topi i gjuajtur prej tij u kontrollua nga portieri Teqja. Deri në fund të pjesës së parë rezultati mbeti i pandryshuar.
PJESA E DYTË – Nis pjesa e dyte, trajnerët e të dyja skuadrave nuk kanë bërë asnjë ndryshim… Loja vijon e njëjtë, me të dyja skuadrat që tentojnë të shkojnë përpara, por mungon pasi i fundit. Shpesh në fushë nuk mungojnë faullet dhe momentet e tensionit, por gjithçka brenda normave të lejuara.
Trajneri Gega bëri lëvizjet e para dhjetë minuta nga nisja e pjesës së dytë, teksa Bardhi dhe Mensah zunë vendin e Prognit dhe Asanit. Në të 59′ ishin korçarët që rrezikuan, teksa Bregu kombinoi bukur me Abazin. Ky i fundit shërbeu për Krasniqin në zonë, kavajasi e devijoi lehtë topin që u prit nga Hoxha.
Nuk mungojnë sharjet në kor të tifozëve, si dhe flakadanët e hedhur në fushë. 70 minuta lojë dhe ende ndeshja nuk është zhbllokuar. Tension mes tifozëve, sende të hedhura në fushë dhe drejt tyre. Ka edhe gurë të gjuajtur. Tifozë të futur në fushë dhe për minuta të tëra loja është ndërprerë.
Minuta e 72′ e takimit, Telushi provoi me një goditje dënimi, Teqja largon me vështirësi. Trajneri Shehi bëri lëvizjen e parë, teksa Grispshi i la vendin Ajzerajt. Në të 81′ Telushi provoi me një goditje dënimi, gjuajtja e mesfushorit devijohet dhe akordohet goditje këndi, prej së cilës nuk vjen asnjë rrezik.
Mala, pas një skëme në një goditje dënimi, pati mundësinë të realizonte, por nuk ia doli dot. topi i devijuar prej tij shkoi jashtë kuadratit. Pak minuta nga fundi Oto Xhon u aktivizua nga trajneri Shehi. Nigeriani zuri vendin e Krasniqit.
Në minutat shtesë Dejvi Bregu u pengua në zonë nga portieri Alban Hoxha dhe për Hamitajn ishte penallti. Muzaka nga pika e bardhë nuk gaboi dhe i dha avantazhin korçarëve. Tre pikë të arta për Skënderbeun.