Kapiteni i Vllaznisë e thotë shumë qartë: Po presim të fillojmë stërvitjen brenda kësaj jave, sepse po shkon vërtet shumë vonë
Gaspër Marku
Edhe pse për momentin vëmendja në qytetin verior të Shkodrës, ashtu si në të gjithë vendin, është e përqendruar te zgjedhjet, opinioni sportiv vazhdon të jete kërkues për fatin e skuadrës kuqeblu. Madje, nuk e teprojmë të themi se Vllaznia ka ditë të tëra, që është kryefjala e të gjithëve në komunitetin shkodran, veçanërisht pas deklaratës së deputetit Tom Doshi se do të sponsorizojë për Vllazninë në vazhdim. Mbetet për t’u parë si do të rrjedhin ngjarjet, por nëse rezulton një premtim i mbajtur, Vllaznia mund të ndryshojë shumë për mirë. Qytetarët shkodranë në përgjithësi dhe në veçanti fansat kuqeblu, shfaqen çdo ditë e më tepër këmbëngulës në kërkesat për një Vllazni ndryshe nga ajo që kemi parë sezonet e fundit, për një Vllazni, që të pretendojë Kupat e Europës. Prej ditësh ishte thënë se pas zgjedhjeve do të vijnë lajmet pozitive rreth Vllaznisë së re, që nga riorganizimi i skuadrës e deri te momenti i shfaqjes së sa në fushë për të nisur kështu përgatitjet për sezonin e ri.
Por, me gjithë këmbënguljen e vazhdueshme dhe dëshirën e mirë që “Sport Ekspres” ka në drejtim të marrjes së informacioneve dhe përcjelljen e tyre sportdashësve shkodranë, në këtë drejtim nuk ka asnjë përgjigje pozitive nga zyrtarët e klubit kuqeblu. Gjithsesi, duke pasur parasysh se procesi i zgjedhjeve nuk është mbyllur përfundimisht, ka shumë mundësi që sot situata të jetë më e qartë dhe brenda javës Vllaznia mendohet se do të ketë zbritur në fushë.
Mesazhi i kapitenit: Jemi vonë!
Me shqetësimin e opinionit sportiv shkodran, pjesë e të cilit janë edhe specialistët e këtij qyteti, bashkohet edhe kapiteni i Vllaznisë, Ndriçim Shtubina. Në një bashkëbisedim të shkurtër me “Sport Ekspres” ai nuk nguroi ta konsideronte problem vonesën e fillimit të stërvitjes për Vllazninë. Ditë më parë, si Shtubina, ashtu edhe kolegë të tjerë të tij në skuadrën kuqeblu, bënë të ditur se i kishin konsumuar pushimet e nevojshme verore dhe se ishin në pritje të fillimit të procesit stërvitor, gjë që në fakt akoma nuk është bërë e mundur. Pikërisht për këtë, duke përdorur edhe paksa humorin, Shtubina thumbon në këtë drejtim, teksa shprehet: ”Besoj se në fund të muajit do të fillojmë nga përgatitjet, sepse jemi kënaqur me pushime deri tani…!”
Një fjali kjo e kapitenit shkodran, që nuk ka nevojë për shumë komente, pasi tregon qartë mendimin e tij se skuadra është vonë në lidhje me nisjen e stërvitjes. Në të njëjtën kohë, një deklaratë e tillë mund të merret edhe si një mesazh ndaj drejtuesve të klubit kuqeblu për të bërë veprimet e duhura sa më shpejt në lidhje me riorganizimin e Vllaznisë, ashtu siç në fakt edhe kanë premtuar përpara pak ditëve.