Premtimi i Idrizit: Shlyej çdo futbollist dhe depozitoj deri në 2018

0

Kur thua Flamurtari, menjëherë të shkon mendja te problemet, te pagat e padhëna prej muajsh, te privatizimi që nuk po duket në horizont, te bashkia inekzistente, te gjyqet e pikët e hequra, te ndërtimi i skuadrës nga e para çdo 6 muaj…

Ditët e fundit plasi “bomba” Danilo Alvesh, i cili nuk do të kthehet më në Shqipëri dhe do ta paditë Flamurtarin në FIFA, ndërsa dje klubi u komunikoi largimin tre emrave të njohur vlonjatë: Halilit, Kuqit dhe Ardit Shehajt.

Megjithatë, duket se ka një lajm të mirë për Flamurtarin, lojtarët dhe tifozët kuqezinj: “Sport EKspres” mëson se Sinan Idrizi jo vetëm që ka vendosur të paguajë gjithë pagat e prapambetura, por do të paguajë para kohe lojtarët për sezonin e ardhshëm. Pse pikërisht tani ky vendim i bujshëm? Arsyeja është vetëm një – administratori i Flamurtarit ka marrë një premtim madhor për privatizimin e Flamurtarit dhe duket se fitimi i zgjedhjeve me shumicë dërrmuese nga Partia Socialiste ka qenë vendimtar.

Deputet në Vlorë, kryeministri Edi Rama duket se ka vendosur të bëjë diçka për të zgjidhur situatën e ndërlikuar të Flamurtarit, duke parë që bashkia nuk po i jep asnjë zgjidhje.

Kjo ka bërë që ditën e sotme Idrizi të shfaqet entuziast dhe të japë një premtim të bujshëm, që do të ndryshonte shumë gjëra për mirë në klubin kuqezi: shlyerje e të gjithë futbollistëve që kanë paga të prapambetura, por jo vetëm kaq. Për sezonin e ri, të gjithë futbollistëve do t’u depozitohen në llogaritë bankare 8 paga, për t’i tërhequr një nga një në fillim të çdo muaji.

Nëse kjo ndodh, Flamurtari do të futet vërtet në shinat e duhura, të paktën derisa të mbyllet odiseja e privatizimit dhe Idrizi të mos ketë më pengesa për të ndërtuar klubin që ka premtuar.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.