Shpresat ndalen te shtylla, Bushi: Pres më shumë nga Bare e Ramadani

45 minutat e para me ritëm dhe kuqezinjtë dominues, por Lika e mbajti portën e tij të paprekur. Penalltia e fituar nga Sentamu dhe e realizuar nga Karabeci vendosi ndeshjen

Vladimir Prenga

Tirana dhe Shqipëria U21 u përballën dje në një ndeshje testuese që u shërben të dyja ekipeve, teksa kuqezinjtë luajnë të martën me Islandën për kualifikueset e Europianit dhe ishte edhe prova gjenerale para këtij takimi. Për bardheblutë ky takim shërbeu për të ruajtur ritmin gjatë kësaj periudhe pushimi, pasi kampionati kthehet fundjavën e ardhshme. Kjo përballje përfundoi me fitoren e Tiranës, që iu fal një penalltie të fituar nga Sentamu dhe u shndërrua në gol nga kapiteni Karabeci. 45 minutëshi i parë pati një ritëm të mirë dhe skuadra e Bushit ishte më lart, madje në disa raste mund të kishte shënuar gol, por portieri Lika dhe shtylla u erdhën në ndihmë. Pjesa e dytë ishte e vakët dhe pa raste, duke bërë që gjithçka të mbyllej me fitoren e Tiranës.

NDESHJA – Djemtë e drejtuar nga Alban Bushi e marrin komandën që nga fillimi i takimit, duke dominuar në lojë me bardheblutë. Që në start kuqezinjtë iu afruan golit me anë të Hebajt. Ilion Lika gaboi në largimin e një topi dhe ishte Laçi që brenda zonës shërbeu për sulmuesin shkodran të Domzhales, i cili e dërgoi sferën jashtë kuadratit. Presioni i Shpresave vijon dhe në minutën e 16-të, pas një aksioni nga e djathta, Laçi del i lirë përballë Likës, që shpëton skuadrën e tij nga goli. Dy minuta më pas ishte Çekiçi ai i cili ekzekutoi një goditje dënimi nga e majta e zonës dhe me vështirësi e grushtoi atë portieri bardheblu, madje topi “qethi” edhe traversën e më pas përfundoi jashtë. Abazaj ishte protagonist pak minuta më pas dhe shtylla ndihmoi Tiranën. Loja nis të balancohet me kalimin e minutave, por rastet mungojnë. Për Tiranën tentativa e parë ishte një gjuajtje e Grecës në minutën e 35-të, por krejtësisht e pasaktë. Ze Maria bëri lëvizjen e parë pas këtij momenti, duke nxjerrë Majkëll Ngoo, krejtësisht në hije deri në atë moment. Shtohen forcat në mesfushë me futjen e Çelhakës dhe në të 41’ Sentamu nuk shfrytëzoi një mosmarrëveshje në mbrojtjen e ekipit Shpresa. Sulmuesi nga Uganga dy minuta më pas u pengua në zonë nga Toli dhe për kryesorin Beqiri kishim të bënim me penallti. Përballë Selmanit u vu Erando Karabeci, i cili e dërgoi topin në rrjetë, pavarësisht se “gardiani” i Laçit e dalloi krahun. 1-0 përfundoi pjesa e parë, ndërkohë që Bushi zëvendësoi thuajse të gjithë formacionin dhe deri në fund u dha mundësinë të gjithë lojtarëve të aktivizoheshin. Edhe Tirana bëri disa lëvizje, më të pakta, ndërkohë që 45 minutat nuk u ngritën në nivelin e duhur. Për të folur për raste është e vështirë, veç dy tentativa nga distanca të Zekës dhe Bardhit, por që nuk ndryshuan asgjë. Me mënyrën e lojës ishte e pritshme që mos të kishte asgjë të re dhe Tirana doli fituese nga fusha e blertë me rezultatin minimal 1-0.

Bushi: Ndeshje që na vlejti, Bare dhe Ramadani duhet të bëjnë më mirë

Alban Bushi u shpreh pas ndeshjes me Tiranës se miqësorja me bardheblutë i shërbeu skuadrës së tij në prag të ndeshjes me Islandën, që luhet ditën e martë në stadiumin “Selman Stërmasi”. “Mendoj që na shërbeu goxha, pasi ishin shumë lojtarë që nuk kishin luajtur në kampionatet e tyre, si tre lojtarët e mbrojtjes që ishin në formacion. Kjo ndeshje na shërbeu për t’i parë. Nuk është se ishin keq, nuk kishin atë ritmin që kishin në ndeshjen e parë në Islandë, por gjithsesi ishin mirë. Sa i takon lojës, mund të bënim diçka më mirë në mesin e fushës. Mund të dilnim me lehtë në sulm, pasi aty kemi lojtarë shumë të mirë që kombinojnë mirë dhe luajnë shtruar. Gjithashtu vijmë nga një ngarkesë e madhe, pasi ndeshja është të martën dhe kemi punuar shumë këto ditë. Ishte ndeshje testuese dhe menduam gjërat që do të bëjmë me Islandën. Duhet ta nxirrnim topin më shpejt nga mesfusha. Të dy mesfushorët tanë, si Bare dhe Ramadani duhet ta nxirrnin topin më mirë në sulm. Aty çaluam pak. Gjithsesi e përgjithshmja ishte e mirë”, tha për mediat Bushi, që më pas e pranoi se Shpresave do t’u mungojë shumë sulmuesi Durmishaj i dëmtuar. “Në sulm ne kemi problem. Hebaj është lojtar shumë i mirë, por i datëlindjes 1998, dy vjet më i vogël se kundërshtarët. Gjithsesi është lojtar shumë premtues. Durmishaj do na mungojë shumë në këtë ndeshje, ai është ditëlindja 1996, sa kundërshtarët, është një lojtar i fortë, i cili dha dy asiste në Islandë si dhe shënoi edhe gol. Kushdo që do të luajë në sulm, do të bëjë mirë ndaj Islandës”. Të grumbulluar me Kombëtaren U21 janë disa futbollistë të kampionatit tonë dhe kjo vjen edhe prej rritjes së cilësisë së futbollit, që e pranon edhe Bushi. “Normalisht që niveli i kampionatit shqiptar është rritur, pavarësisht se në Kombëtaren A më së shumti lojtarët vijnë nga jashtë. Këtu te U21 kemi shumë lojtarë nga kampionati ynë dhe nuk është se ka ndonjë diferencë të madhe, veçse në ritëm që është një problem. Gjithsesi janë lojtarë shumë premtues. Kemi Dokën e Kallakun, apo Zekën që luan me Lilën dhe është shumë premtues”, përfundoi trajneri Bushi deklaratën e tij.

Tirana – Shqipëria U21       1-0

Shënues: Karabeci 43’ (pen.)

Tirana: Lika, Kërçiku, Turtulli, Uellison, Hoxhallari, Qilimi, Daja, Karabeci, Greca, Sentamu, Ngoo. (U aktivizuan: Çelhaka, Bisha, Habibi, Ahmetaj, Levendi, Cake, Maçovila, Beçka). Trajner: Ze Maria

Shqipëria U21: Selmani, Toli, Tafa, Maloku, Ceka, Ramadani, Bare, Abazaj, çekiçi, Laçi, Hebaj. (U aktivizuan: Kastrati, Nuri, Doka, Duka, Krymi, Kallaku, Halili, Bardhi, Zeka). Trajner: Alban Bushi.

Gjyqtarë: A. Beqiri, R. Shaba, A. Koçiaj, E. Spahiu (Tiranë)

Kartonë të verdhë: Greca 81’

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online