Liverpuli po përjeton ndoshta momentin më të mirë prej vitesh, sidomos në Premier Ligë, ku udhëheq me diferencë plot gjashtë pikë nga ndjekësi më i afërt i Totenhemit. Merita për këtë fakt, ka padyshim numri një i pankinës, gjermani Jurgen Klop, i cili prej vitesh ka sjellë harmoni në klubin e kuq.
Gjithsesi, duket se jo të gjithë ndihen mirë me Klop, pasi ka dhe të pakënaqur, siç është Alberto Moreno. Spanjolli, luan prej pesë sezonesh me fanellën e Liverpul, por nuk ka mundur të jetë protagonist, sidomos në dy sezonet e fundit, ku Jurgen Klop më së shumti e ka parë si zgjedhje të dytë.
Për këtë arsye, mbrojtësi anësor ka folur në një intervistë dhe ka shpërthyer ndaj trajnerit të tij, duke shprehur hapur se mënyra se si e trajton tekniku gjerman, nuk i pëlqen. Gjithashtu, spanjolli ka shtuar se me përfundimin e kontratës në fund të sezonit, ai do të shqyrtojë ofertat që do t’i vijnë dhe mund të rikthehet në Spanjë.
“Nuk ndihem mirë, kjo është e vërteta. Kam lënduar veten duke dhënë gjithçka për këtë skuadër dhe mendoj se kur të kthehem nga dëmtimi e meritoj një mundësi. Situata është normale për shumë lojtarë, por unë thjesht nuk e pëlqej mënyrën se si jam trajtuar nga trajneri.
Kthimi në Spanjë është diçka që e kam menduar, jam i lodhur nga ftohtësia këtu. Jam në vitin e pestë këtu, nuk ka asnjë marrëveshje për rinovim dhe në janar jam i lirë për të dëgjuar ofertat që do të vijnë”.